Sport

Huliganizmi në sportin kosovar – 11 tifozë të arrestuar e 4 policë të lënduar

Rivaliteti ndërmjet klubeve të basketbollit Sigal-Prishtina dhe Trepça, vazhdimisht ka qenë i ashpër.

Njëjtë ka ndodhur edhe në ndeshjen e së premtes mbrëma, të zhvilluar në Mitrovicë, në kuadër të gjysmë- finales së Kupës së Kosovës, raporton KTV.

Me të hyrë në palestër tifozët mysafirë “Plisat”, filluan sharjet dhe gjuajtjet nga të dyja anët. Pas tensionimit të skajshëm në të dy taborët, organizatori vendosi që t’i largojë nga tribuna tifozët e Prishtinës “Plisat”, për të qetësuar situatën.

Mirëpo, pastaj janë sulmuar autobusët me tifozë të Prishtinës.

Policia në Mitrovicë ka arrestuar 11 persona si të dyshuar për prishje të rendit dhe sulm ndaj personave zyrtarë, pasi që gjatë këtij incidenti, kanë mbetur të lënduar 4 pjesëtarë të Policisë.

Zyrtarët e Federatës së Basketbollit të Kosovës, kanë bërë të ditur për KTV-në, se janë në mbledhje të fakteve dhe janë në pritje të raporteve nga delegatët e ndeshjes për të parë se çfarë ka ndodhur në dy ndeshjet gjysmëfinale të Kupës.


Huliganizmi në sportin kosovar – 11 të... by kohanet