Arbëri

Ekspertët e pavarur dhe komisioni për matje të territor barrikadohen në qëndrimet e tyre

Fakte të reja shkencore ka prezantuar grupi i ekspertëve të pavarur që i hedhin poshtë ato të komisionit të ekspertëve të themeluar nga Qeveria.

Shpejtim Bulliqi e Florim Isufi thanë se me marrëveshjen aktuale Mali i Zi do të rritë sipërfaqen e saj për rreth 70 kilometra katrorë, raporton KTV.

Gjeografi dhe deputeti i LDK-së që është edhe njëri ndër kundërshtuesit më të ashpër të kësaj forme të demarkimit të vijës kufitare me Malin e Zi, Shpejtim Bulliqi, tha se deri tash, kanë prezantuar një sërë faktesh, por për fat të keq, këto çdoherë kanë hasur në vesh të shurdhër.

Ai pohoi se historikisht Mali i Zi, ka pasur më pak sipërfaqe sesa ka tash me këtë marrëveshje.

Profesori Florim Isufi, duke dokumentuar me harta zyrtare, tha se Çakorri është në kufi me Malin e Zi, kurse Bjelluha është në territorin e Kosovës.

Por, zëdhënësi i Komisionit të ekspertëve për matje të territorit Tomor Qela u ka bërë thirrje atyre që kanë fakte, të mos i bëjnë ato në holle restorantesh, por në institucione.

Ai tha se në asnjë rast nuk i kanë shërbyer Qeverisë si vegël për t’i bindur deputetët që ta votojnë marrëveshjen për demarkacionin.

Ai edhe njëherë, ka rikonfirmuar se territori i Kosovës është 10 mijë e 905.25 km2.

Komisioni ka përmbyllur dëgjimin publik me qytetarët.


Ekspertët e pavarur dhe komisioni për matje të... by kohanet