Projekti i ri i regjisorit të njohur për filmat “Lord of the Rings”, Peter Jackson, po krijohet me ndihmën e 55 orë xhirimeve të papara më herët, e të realizuara në fillim të vitit 1969 me qëllim të realizimit të filmit “Let It Be”. Dokumentari i ri, bëhet e ditur se do të publikohet nga studioja “Disney”, transmeton Koha.
Kryetari ekzekutiv i studios, Bob Iger, e ka konfirmuar lajmin se projekti me titull “The Beatles: Get Back” do të lansohet më 4 shtator në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Asnjë bend nuk e ka pasur ndikimin e njëjtë në botë, sikurse ‘The Beatles’, dhe dokumentari i ri me titull 'The Beatles: Get Back' iu ofron pamje unike nga puna e këtyre krijuesve gjenial në një kohë aq të rëndësishme për historinë e muzikës. Po ashtu ju ofron pamje spektakulare të një kualiteti të mirë, sa duket sikur janë xhiruar dje. Edhe unë jam adhurues i madh i bendit kështu që më vjet jashtëzakonisht mirë që Disney do të ketë mundësi ta ndajë me botën dokumentarin e mahnitshëm të Peter Jacksonit, duke filluar nga muaji shtator,” citohet të ketë thënë Iger.
Regjisori i famshëm, Peter Jackson, e ka përshkruar projektin një “zbulim të hareshëm” dhe ka deklaruar se bendin “The Beatles” e konsideron si “më të mirin e të gjitha kohërave”.
Ndërsa anëtari i bendit legjendar, Sir Paul McCartney, beson që dokumentari “The Beatles: Get Back” do t’ia sjellë atij ca kujtime të mira.