Filmbërësi me nam, Peter Jackson, ka ndarë një dromcë ekskluzive të dokumentarit në përgatitje e sipër “The Beatles: Get Back”. Klipi pesëminutësh i filmit të shumëpritur është tashmë i qasshëm për adhuruesit kudo në botë te faqja “TheBeatles.com”.
“Ne deshëm t’iu japim adhuruesve të ‘Beatles’ kudo në botë një dhuratë për pushime”, ka thënë regjisori i njohur për trilogjinë “The Lord of the Rings”. “Ndaj bëmë bashkë këtë dromcë pesëminutëshe të filmit të ardhshëm. Shpresojmë që do të sjellë buzëqeshje në fytyrën e secilit dhe gëzimin aq shumë të nevojshëm në kohëra të vështira”.
Sipas Paul McCartneyt, ky klip nuk është triler për dokumentarin, por më shumë si shembull i xhirimeve 56-orëshe që nuk janë parë asnjëherë.
Duke paraqitur xhirime të bëra në fillim të vitit 1969 – përfshirë edhe klipe nga koncerti i bendit legjendar në Londër – filmi, sipas Jacksonit, premton të jetë “përvoja përfundimtare e ‘fly on the wall’ që do t’u japë adhuruesve të Beatlesave atë që kishin ëndërruar prej kohësh – është sikur një makinë kohe të na bartë në vitin 1969, dhe ne ulemi në studio për t’i parë katër shokët tek bëjnë bashkërisht muzikë të madhe”.
Filmi i metrazhit të gjatë do të shfaqet në kinema më 27 gusht të vitit të ardhshëm.
Në të është përfshirë ngrohtësia, miqësia dhe gjenialiteti krijues i kuartetit të pashoq, ku pos xhirimeve të bëra nga Michael Lindsay-Hogg, janë shfrytëzuar edhe më shumë se 150 orë audio e padëgjuar më parë.
“The Beatles: Get Back” rrëfen se si John Lennon, Paul McCartney, George Harrison dhe Ringo Starr e planifikuan për dy vjet me radhë showin e tyre të parë të drejtpërdrejtë.
Ai ravijëzon edhe shkrimin dhe praktikimin e 14 këngëve të reja, që fillimisht ishin menduar të realizoheshin në një album shoqërues.
Për të parën herë, dokumentari përkap në tërësi performancën e famshme, të fundit si grup, koncerti i paharrueshëm në Savile Row, dhe këngë e kompozime të tjera klasike që ishin dhënë në dy albumet e tyre të fundit “Abbey Road” dhe “Let It Be”.
Ideja për dokumentarin ishte dhënë në fillim të vitit të kaluar, por pandemia kishte bërë që shfaqja e tij, e planifikuar më 4 shtator të këtij viti, të shtyhej. Vetë regjisori, Jackson, kishte pasur viteve të fundit një rrugëtim të suksesshëm me filmat e tij trilogji “The Hobbit”, si “They Shall Not Grow Old”.
Filmi është shpalosur nga Walt Disney Studios në bashkëpunim me Apple Corps Ltd. dhe WingNut Films Productions.
(“rollingstone”, “udiscovermusic.com”)