Natalie Portman e ka konfirmuar lajmin se xhirimet e filmit “Thor: Love and Thunder” do të nisin në fillim të vitit 2021 në Australi.
Filmi i ardhshëm i studios “Marvel” e sjell aktoren e filmit “Black Swan” duke e prezantuar personazhin e ri, The Mighty Thor, krahas superheroit të portretizuar nga Chris Hemsworth, transmeton Koha.
Gjatë një bisede online me yllin e tenisit, Serena Williams, aktorja 39-vjeçare Portman e zbuloi lajmin se xhirimet e këtij projekti të shumëpritur nga fansat, do të fillojnë vitin e ardhshëm dhe data e lansimit të filmit vazhdon të jetë e njëjtë, pra 11 shkurti i vitit 2022.
“Personazhi im quhet The Mighty Thor. Librat komik mbi të cilët është bazuar filmi, e kishin një personazh femër që në fakt është Jane e cila më pas shndërrohet në The Mighty Thor”, ka shpjeguar tutje Portman, cila ka thënë se është duke bërë përgatitje fizike për këtë rol.
Natalie Portman për herë të parë ka luajtur në filmin “Thor” në vitin 2011, ku e portretizoi shkencëtaren Jane Foster e cila bëhet e dashura e superheroit Thor, i sjell në ekran nga Chris Hemsworth.
Më vonë ajo u paraqit edhe në filmin e vitit 2013, “Thor: The Dark World”, por jo edhe në atë të vitit 2017, “Thor: Ragnarok”.
Ndërkohë, regjisori i këtij projekti Taika Waititi, së fundmi ka bërë shaka duke thënë se vazhdimi i ri sjellë momente elektrizuese, të shkaktuara nga egoja e dy kryepersonazheve të sjella në film nga, Portman dhe Hemsworth.
Waititi gjithashtu e ka pranuar që është falënderues që pandemia e koronavirusit, i ka dhënë kohë atij më shumë kohë ta perfeksionojë skenarin e filmit me buxhet të lartë.