Jane “Nightbirde” Marczewski, konkurrentja e sezonit të 16-të të shout “America’s Got Talent”, ka vdekur pas betejës së gjatë me kancerin. Ajo ishte vetëm 31-vjeçare.
Këngëtarja vdiq të dielën, raporton ueb-faqja “TMZ”.
“Jemi të pikëlluar për vdekjen e Jane ‘Nightbirdie’ Marczewski. Ngushëllime për familjen dhe miqtë e saj në këtë kohë të vështirë për ta. Të duam shumë”, shkroi prezantuesi i shout, Terry Crews, në një postim në Instagram.
Edhe anëtarja e jurisë së “America’s Got Talent”, Heidi Klum, e ndau një mesazh për këngëtaren në rrjetet sociale ku shkruhej: “Të duam. Pusho në paqe Jane ‘Nightbirde’ Marczewski”.
Marczewski konkurroi në talent shoun e famshëm në qershor të vitit 2021, me një interpretim prekës të këngës së shkruar nga vet ajo, “It’s Okay”, e cila edhe ia fitoi pjesëmarrjen në finale. Gjatë komunikimit me anëtarët e jurisë, Jane e zbuloi se shanset për t’u shëruar nga kanceri i kishte vetëm 2 për qind, pasi sëmundja i ishte përhapur në mushkëri, shtyllë kurrizore dhe mëlçi.
Videoja prekëse e audicionit të saj i mori miliona klikime në YouTube, dhe performanca unike dhe plot shpresë e këngëtares bëri që publiku dhe anëtarët e jurisë ta nderonin me ovacione.
Pak javë më vonë, Marczewski u largua nga gara e “America’s Got Talent” për t’u fokusuar në betejën e vazhdueshme me kancerin.
“Prej kohës së audicioneve, shëndeti im është përkeqësuar dukshëm dhe lufta me kancerin po e kërkon gjithë energjinë dhe vëmendjen time”, kishte shkruar Jane në një postim në Instagram.
Ndërkaq në postimin e fundit në këtë rrjet social, Marczewski vazhdoi të qëndrojë pozitive pavarësisht gjendjes së rëndë shëndetësore.
“Sinqerisht, gjërat kanë qenë mjaft brutale për mua. Por, kjo është një foto e imja e realizuar para një jave ku ndihesha e bukur, e gjellë, e kthjellët, njerëzore dhe reale. Kisha nevojë për këtë. Të gjithë jemi paksa të humbur por edhe kjo është në rregull”.
Në korrik të vitit të kaluar, Jane e bëri një paraqitje të shkurtër në “America’s Got Talent” përmes një videolidhjeje, ku e përditësoi publikun rreth shëndetit të saj. Anëtari i jurisë Howie Mandel e quajti atë një “poster njerëzor për guximin përballë fatkeqësisë”, derisa Sofia Vergara e falënderoi këngëtaren për këngën prekëse dhe shpirtin e dashur dhe pozitiv, edhe në momentet më të vështira të jetës së saj. Kurse, Simon Cowell filloi të qajë nga emocionet teksa tregoi se kishte biseduar disa herë me Marczewskin, pas tërheqjes së saj nga gara e shout të famshëm.