Termi “post Covid”(pas Covidit) është paksa i koklavitur, e sidomos për ata që tani po jetojnë me sëmundjen apo me efektet afatgjate nga ajo. Por përderisa ekspertët Covidin ende e konsiderojnë si pandemi, 2023-ta ishte viti kur Organizata Botërore e Shëndetësisë deklaroi se nuk konsiderohet më si gjendje emergjente.
Bota iu përgjigj kthimit në normalitet disi duke u “hakmarrë”, pasi që shumë njerëz kaluan kohë duke shfaqur kreativitetin përderisa po qëndronin mbyllur. Ky ishte lajm shumë i mirë për artin, modën dhe botën e kulturës, të cilat ani që u gjendën në një vit të definuar nga lufta dhe teknologjia përçarëse, u përgjigjën me mënyra kreative që reflektuan duke tërhequr vëmendjen e çështjeve më të rëndësishme shoqërore.
Këtu janë disa nga “fortesat” që për të mirë a për të keq karakterizuan ngjarjet më kulmore të 12 muajve të shkuar:
Kush e sundon botën? Vajzat!
Dy nga gratë më të suksesshme të industrisë ishin shtyse për ngritjen e ekonomisë kulturore. Këtë e kanë bërë këngëtaret me famë botërore Taylor Swift dhe Beyonce. Të dyja përmes turneve të tyre. Turneu i fundit i Swiftit, “The Eras Tour”(Turneu Epokal), ishte me të vërtetë epokal pasi bëri tokën të dridhej dhe u bë turneu i parë që arriti të mblidhte 1 miliard dollarë amerikanë. Është raportuar se 22 milionë njerëz janë regjistruar për parashitje të biletave, derisa më shumë se një milion njerëz po prisnin në rend online për blerjen e tyre.
Suksesi global nxiti seancë dëgjimore në Kongresin Amerikan, për mungesën e konkurrencës në industrinë e biletave pasi “Ticketmaster” e pati të pamundur t’i përpunonte të gjitha porositë për bileta. Ky turne gjithashtu ndryshoi edhe sektorin e turizmit duke bërë që hotelet të kenë shumë kërkesa, si dhe linjat ajrore shtuan më shumë vende përgjatë datave të koncerteve të Swiftit.
Ndërkohë turneu “Renaissance” i yllit, Beyonce, shtoi më shumë se 4.5 miliardë dollarë në ekonominë e Shteteve të Bashkuara.
Një ekonomiste në bankën “Danske” të Danimarkës ndërkohë fajësoi yllin për problemet e inflacionit në Suedi pasi vendimi i saj që turneun me 56 shfaqje ekstravagante ta nisë në Stokholm çoi në rritje të çmimeve të hoteleve dhe restoranteve në qytet.
“Barbenheimer” kontribuoi në arkat filmike
Sikurse Beyonce dhe Taylor, Greta Gerwig, producentja e filmit më të përfolur të vitit 2023, “Barbie”, shpalosi fuqinë që ka gruaja pasi 2/3 e audiencës së filmit i përkisnin asaj.
Në të njëjtën kohë më këtë film u lansua edhe “Opennheimer” duke u shndërruar në një rival të madh për “Barbien”. Kontrasti i fortë që qëndroi në mes të një feministeje që tregonte botën rozë të kukullës “barbie” dhe historisë së njeriut që shpiki bombën atomike, inspiroi shakatë, “memet” dhe paroditë më të mira të vitit, si dhe sfidën “Barbenheimer” e cila nxiti shikuesit që t’i shikonin të dy filmat brenda një dite. Kjo gjë i shndërroi projektet në fenomen sensacional dhe si përfundim arka globale filmike përfitoi 2.3 miliardë dollarë. “Barbie” u bë filmi më fitimprurës që kishte prodhuar “Warner Brothers” në historinë 100-vjeçare.

Konglomeratët më të mëdhenj të modës u bënë edhe më të mëdhenj
Konglomeratët kontrollojnë një pjesë të madhe të tregut të industrisë së modës dhe ata po vazhdojnë të ngushtojnë rrethin në një treg luksoz që në vitin 2023 arriti të fitonte 1.6 trilion dollarë.
Sipas të dhënave që publikoi “Savigny Luxury Index”, gjatë muajit mars 2023, në përgjithësi konglomeratët si Savigny Partners, LVMH, Kering dhe Richmont kanë në pronësi 62% të mallrave luksoze në industrinë e modës.
Konglomerati LVMH në pronësi të të cilit janë gjigantët si Louis Vuttion, Givenchy, Christian Dior e Fendi, në mesin e shumë të tjerëve, u bë konglomerati i parë evropian që kaloi të ardhurat prej 500 miliardë të vlerës së tregut gjatë muajit prill.
Në fund të këtij tregu u pa edhe një tjetër realitet ku pati një lloj “lufte” në mes të disenjatorëve të markave shumë të kushtueshme dhe atyre të rinjve, që ishin të pafrikë për të hyrë në botën e modës në të cilën kishte të atillë që ishin të paaftë t’i mbanin gjallë brendët e tyre.

Vjedhja dhe kthimi i artit
Presioni për kthimin e artefakteve të ndryshme që posedohen nga shumë muze, këtë vit u bë gjithnjë e më i madh. Trysni pati mbi koleksionistët dhe muzetë që t’i kthejnë veprat e artit nëpër vende përkatëse.
Përfaqësuesit e “Metropolitan Muzeum of Art” dhe “Rubin Muzeum of Art” në New York kanë thënë se do t’i kthejnë në vendet e tyre përkatëse disa vepra që deri më tani kanë qëndruar atje. Në këto vepra bëjnë pjesë artefakte nga një manastir nepalez i shekullit të 11-të si dhe vepra nga vende arkeologjike të Azisë juglindore.
Galeria Kombëtare e Australisë dhe familja e miliarderit të ndjerë amerikan George Lindemann premtuan se do t’i kthejnë objektet e grabitura në Kambodia. Gjithashtu edhe SHBA-ja njoftoi se do t’i kthejë 77 artikuj në Jemen.
Një “hajdut” i famshëm ka qenë Muzeu Britanik i cili u gjend në një presion në rritje, për kthimin e gjësendeve që mori nga vendet tjera. Në mesin e tyre janë gurët Parthenon, të cilët për dekada kanë qenë në qendër të një mosmarrëveshjeje diplomatike midis Mbretërisë së Bashkuar dhe Greqisë dhe këtë vit u intensifikua grindja, aq sa bëri që kryeministri britanik Rishi Sunak ta refuzojë takimin me homologun e tij grek.
Muzeu Britanik ishte vetë viktimë e vjedhjeve, pasi gjatë gushtit zbuloi se 2000 vepra nga koleksioni janë duke munguar.

Paraja flet, “luksi i heshtur” pëshpërit
Përderisa shumë pjesë të botës po kalojnë nëpër vështirësi ekonomike duke ngritur inflacionin, ndoshta nuk është e çuditshme që 2023-ta ishte vit i “luksit të heshtur”.
Ideja që pasuria duhet të pëshpëritë, jo të bërtasë, u pasqyrua në një lloj të ri thjeshtësie të zhveshur. Kjo gjë u pa nëpër pista të modës dhe më gjerë, që statusi ekonomik nuk duhet të tregohet përmes logove të zhurmshme apo stilimit të fytyrës (përmes ndërhyrjeve estetike).
Shfaqja “Succession” e televizionit HBO, e cila përfundoi sezonin e saj të katërt dhe të fundit në muajin maj, ndihmoi në nxjerrjen në pah të trendit të “pasurisë së fshehtë”, me protagonistët ultra të pasur të serialit që shpesh zgjidhnin për të veshur rroba bazike që kushtojnë shumë, por nuk kanë printime dhe logo të brendeve.
Kështu bëri edhe aktorja Gwenyth Paltrow kur u shfaq në gjyq me një gardërobë të thjeshtë, por të kushtueshme. Gardëroba nxiti shumë më shumë tituj gazetash sesa gjyqi që u bë për shkak të një aksidenti që i kishte ndodhur asaj gjatë skijimit, pasi kishte lënduar një njeri, i cili e paditi.
Shpejt, brendi gjigand i veshjeve “Prada” nxori një koleksion për meshkuj si “rikonsiderim” për gjëra më të thjeshta. Për këtë disenjatorja Phoebe Philo lansoi një koleksion të tërë që u definua nga eleganca “e heshtur”. Por ky trend nuk duhet assesi të ngatërrohet me atë “minimalist”, pasi që “luksi i heshtur” përmban orë dore të kushtueshme e edhe hotele të kushtueshme për akomodim.

Protestat paralizuan Hollywoodin dhe tepihun e kuq
Për gati katër muaj në 2023-tën, Hollywoodi shkoi në protestë pasi aktorët kërkuan rritje të pagave, të cilat janë zvogëluar në epokën e shërbimeve të transmetimit që shmangin honorarët konvencionale dhe rrallë zbulohej se sa shpesh shikohej përmbajtja.
Byroja Amerikane e Statistikave të Punës ka raportuar se aktorët fituan mesatarisht 27,73 dollarë në orë vitin e kaluar dhe vuri në dukje se shumë prej tyre nuk paguhen gjatë gjithë vitit. Skenaristët gjithashtu hynë në grevë, duke i ndalur prodhimet e filmit dhe televizionit.
Ceremonitë e ndarjes së çmimeve u reduktuan ose u shtynë, duke rezultuar në disa tapete të kuq jashtëzakonisht të pakët. Përderisa ky ishte lajm i keq për grimerët dhe disenjatorët e famshëm, të cilët humbën burim të madh të ardhurash, kjo grevë gjithashtu u dha shans influencuesve dhe modeleve, për të dalë në qendër të vëmendjes pa qenë nën hijen e yjeve të filmit.
Në nëntor, unioni i grevës së aktorëve arriti marrëveshjen me shumicën e studiove transmetuese. Marrëveshja e cila do të skadojë në muajin maj të vitit 2026, përmban rritje pagash, kontrata më të gjata, përfitime më të mira, garanci dhe mbrojtje të të drejtave të autorit nga inteligjenca artificiale, për aktoret si dhe skenaristët.

Inteligjenca artificiale vazhdoi t’i rrezikonte kreativët
Skenaristët e aktorët nuk ishin të vetmit që ishin të rrezikuar nga inteligjenca artificiale (IA). Autorët si George R.R. Martin, Jodi Picoult dhe John Grisham u bashkuan në një padi kundër “OpenAI”, kompanisë që qëndron prapa robotit “ChatGPT”, duke thënë se kjo teknologji ka përdorur punën e tyre pa leje, në mënyrë që të japë më shumë përgjigje që tingëllojnë më bindëse.
Më shumë se 10 mijë autorë, duke përfshirë James Patterson, Roxane Gay dhe Margaret Atwood, nënshkruan gjithashtu një letër të hapur duke u bërë thirrje udhëheqësve të industrisë së IA të marrin pëlqimin nga autorët kur përdorin punën e tyre dhe me këtë rast t'i kompensojnë ata.
Ndërkohë artistët vizualë gjetën mënyra për të luftuar kundër përdorimit të punës së tyre nga IA pa pëlqimin e tyre pjesërisht, falë programeve si “Glaze”, i cili mashtron IA-në që të lexojë imazhe ndryshe nga syri i njeriut (për shembull, një pikturë vaji mund të duket si një vizatim me qymyr) dhe “PhotoGuard”, i cili i ndalon manipulimin me imazhe.
Edhe fushat e tjera u përballën gjithashtu me konkurrencë nga teknologjia në zhvillim. Në muajin prill, një imazh i krijuar nga IA fitoi çmimin “Sony World Photography”. Por shumë krijues përqafuan potencialin e IA-së, duke filluar nga komiku i parë i stilit vizatimor “manga” i krijuar nga IA në Japoni deri te koleksione të tëra të modës të dizajnuara me këtë teknologji.

NFT-ja në teposhtë
Nëse rritja dhe rënia dramatike e çmimeve të NFT-ve, certifikatave digjitale online (tokena të pashkëmbyeshëm), ishte ndër historitë më të mëdha të vitit 2022, 2023-ta ofroi realitete afatgjata më të kthjellëta për entuziastët e kriptovalutave. Me uljen e vëllimeve të tregtimit, disa nga firmat dhe monedhat virtuale pas koleksioneve të miratuara nga të famshmit u përballën me një valë të re veprimesh ligjore.
Në muajin prill, investitorët paditën krijuesit e “Bored Ape NFTs”, “Yuga Labs”, ndër të tjera, për promovimin “mashtrues” të kriptovalutave dhe fryrjen artificiale të çmimeve të tyre.
Ylli i futbollit Cristiano Ronaldo po përballet gjithashtu me padi kolektive prej 1 miliard dollarësh për promovimin e shkëmbyesit të kriptove Binance, duke përfshirë shitjen e NFT-ve të tij. Diku tjetër, një juri shtetërore në New York zbuloi se versionet NFT të një artisti të çantave të famshme të stilit “Birkin” të brendit gjigand “Hermes”, shkelnin të drejtat e markës tregtare të shtëpisë luksoze.
Megjithatë, me rritjen e çmimeve të valutës virtuale Bitcoin, në muajt e fundit, disa analistë të kriptove po shpresojnë se “NFT-së dimërore” më në fund mund t'i vijë fundi. Por pavarësisht nga një përplasje relativisht e mirë në shitjet e nëntorit, është një rrugë e gjatë mbrapa.

Kurorat, të drejtat e transgjinorëve dhe shqetësimet në “Miss Universe”
Pavarësisht se çfarë vendi ka gara për bukuroshen e Universit (Miss Universe) në epokën moderne, konkursi i këtij viti krijoi më shumë pika diskutimi se çdo spektakël tjetër. Pasi u pa i suksesshëm që përfshiu pjesëtare të komunitetit LGBTQ, konkursi paraqiti dy gra trans për herë të parë, pasi Marina Machete dhe Rikkie Kollé u zgjodhën për të përfaqësuar përkatësisht Portugalinë dhe Holandën.
Por triumfi u shndërrua në trazira vetëm disa ditë para finales që u mbajt në El Salvador, kur pronari i Miss Universe, “JKN Global Group”, bëri kërkesë për falimentim. Por ndërkohë që kompania e shpërndarjes së mediave tajlandeze ishte megjithatë në gjendje të organizonte një shfaqje të suksesshme e të kompletuar me fustane elegante mbrëmjeje dhe disa “kostume kombëtare” jashtëzakonisht të çuditshme, ajo që pasoi ishte edhe më dramatike.
Pasi Sheynnis Palacios e Nikaraguas u bë përfaqësuesja e parë e vendit që pretendoi kurorën, drejtoresha e franshizës Miss Nikaragua, Karen Celebertti, u akuzua për komplot dhe tradhti. Celebertti, e cila së bashku me bashkëshortin dhe djalin e saj akuzohen për përfshirje në një komplot për të rrëzuar qeverinë, më pas dha dorëheqjen.

“Ujëra të rrëmbyeshëm” për shtëpitë e ankandeve
Ka pasur disa artikuj jashtëzakonisht të kushtueshëm për t'u rrëmbyer në ankandet e këtij viti, ndonëse vetëm dy kanë arritur pikën e shenjtë të nëntë shifrave. Një kryevepër e Picassos, e titulluar "Femme à la montre", mori më shumë se 139 milionë dollarë për t'u bërë e dyta më e vlefshme. Kjo vepër e artistit spanjoll nuk ka dalë asnjëherë në ankand. Kurse portreti i fundit i artistit Gustav Klimt, u bë vepra e artit më e shtrenjtë e shitur ndonjëherë në një ankand evropian kur arriti në Londër shumën prej 108 milionë dollarëve.
Në përgjithësi, shitjet ishin të ngadalta. Shtëpia e ankandeve “Christie's”, për shembull, raportoi rënie prej 2.2 miliardë dollarësh nga viti në vit në 2023-tën, ndërsa “Philips” përjetoi rënie prej gati 40% në gjysmën e parë të vitit në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Gjigantët e ankandeve janë përpjekur që të ketë diversitet ofertash, me disa shitje të mëdha atletesh dhe relikteve sportive për vitin 2023. Por suksesi i tyre mbështetet nga shitjet e artit me vlerë shumë të lartë, të cilët sipas një analize të fundit nga “Artsy”, kanë rënë në mënyrë drastike. Në 2023, 100 pakot më të mira të ankandeve u shitën në vlerë totale prej 2.4 miliardë dollarësh, krahasuar me 4.1 miliardë dollarë në 2022.
Si muzetë edhe shtëpitë e ankandeve u përballën me shqyrtimin e origjinës së sendeve që kalonin nëpër dyert e tyre. Në shtator, “Christie's” anuloi shitjen e stolive në pronësi të miliarderes së ndjerë Heidi Horten pasi grupet e avokatisë hebraike dhe organizatat e të drejtave të njeriut ngritën shqetësimet se burri i saj kishte grumbulluar pasurinë familjare duke blerë biznese hebraike që shiteshin nën presion në Gjermaninë naziste.

Gjetjet befasuese
Plehrat e një personi mund të jenë thesari i një tjetri dhe viti 2023 ka parë disa blerës me fat që me çmim të volitshëm gjenin gurë të çmuar dhe kishin fitim të mirë. Dyqanet e dorë së dytë nëpër Britani dolën veçanërisht fitimprurëse, me një çift në Mbretërinë e Bashkuar që bleu për 3.3 dollarë një vazo të vogël nga qeramika që ishte e një artisti japonez, e që më vonë u vlerësua me afërsisht 12 mijë dollarë. Ndërsa një koleksionist anonim shiti dy kavanoza të dinastisë Qing për mbi 74 mijë dollarë. I kishte blerë në një grumbull qeramike për vetëm 25 dollarë.
Në SHBA, një entuziaste e gjërave antike kuptoi se diçka që kishte blerë për 4 dollarë mund të kishte një çmim prej 191 mijë dollarësh në ankand pasi u zbulua se ishte një pikturë e humbur prej kohësh e N.C. Wyeth (New York Times më pas raportoi se shitja në një moment dështoi, pasi dikush e bleu për një shumë të pazbuluar gjashtëshifrorëshe). Më pas, në fillim të këtij muaji, një tjetër blerëse entuziaste e dyqaneve të dorës së dytë në Richmond të Virginias pati fitim të madh kur vazoja e qelqit që ajo bleu për 3,99 dollarë në Goodwill u shit për mbi 107 mijë dollarë. Vazoja u identifikua si vepër e arkitektit italian Carlo Scarpa.
Zbulim tjetër i botës së artit ishte edhe një pikturë e shitur dikur në ankand për 15 mijë dollarë që arriti pothuajse 14 milionë dollarë këtë muaj, pasi u identifikua si vepër e artistit të madh Rembrandt.
Pati edhe kthim të befasishëm të një vepre arti në vend të vet, gjithashtu, duke përfshirë një pikturë të vjedhur të artistit Van Gogh që iu dorëzua një skuadre holandeze të artit përmes një çante të IKEA-s. (Marrë nga CNN)

Përgatiti: Vita Abrashi -Kajtazi