Performanca e kitaristit të njohur vendas Petrit Çeku, ka bërë hapjen e sezonit veror të kinemasë më të vjetër në Kosovë.
Kinemaja Lumbardhi, të mërkurën mbrëma ishte e mbushur me mysafirë, të cilët për më shumë se një orë kanë ndjekur repertorin e Çekut, transmeton emisioni Express në KTV.
Kitaristi virtuoz, i shoqëruar nga violonçelistja Monika Leskovar, në këtë koncert interpretuan vepra të rralla, të cilat janë kompozuar nga arbëreshi i Zarës, Valter Deshpali, dhe kroati Srxhen Dediq.
“Ka shumë vjet që mbaj koncerte me Petritin. Për mua është ndjenjë e mirë që të jem këtu dhe po ashtu takimi me prizrenasit reflekton energji pozitive. Mendoj se publiku e përjetoi mirë kombinimin tonë muzikor. Petriti është ar për vendin tuaj, ndërsa unë jam me fat që jetoj në Zagreb dhe që më jepet mundësia për të mbajtur bashkë me të koncerte”, është shprehur Leskovar.
Fondacioni Lumbardhi, i cili e menaxhon hapësirën e Kinemasë Lumbardhi, për të dytin vit më radhë, do të sjellë në projeksion filma të shumtë për publikun dhe vizitorët e Prizrenit.
Këtë të premte në mbrëmje, Orkestra Simfonike e Filarmonisë së Kosovës, do të mbajë koncert në kuadër të hapjes së sezonit veror të Kinemasë Lumbardhi, në Prizren.
-
Tingujt rrjedhin në “Lumbardh” me lojë magjike në kitarë e violonçel
-
“Lumbardhi” në Prizren do ta hapë sezonin veror me dy koncerte të muzikës klasike
-
Çeku, Leskovar dhe Filarmonia dy koncerte në hapjen e sezonit veror të “Lumbardhit”
-
Çeku në Prizren harmonizon artin e interpretimit dhe dëgjimit me suitat e përjetshme
-
Kitaristi Petrit Çeku i rikthehet Kosovës me dy koncerte të rralla