Artisti i mirënjohur, The Weeknd, ka ofruar katër milionë shujta për Programin Botëror të Ushqimit të Kombeve të Bashkuara (WFP) për të ndihmuar njerëzit në Gaza.
The Weeknd, që është edhe ambasador i vullnetit të mirë në Organizatën e Kombëve të Bashkuara ka ndarë 2.5 milionë dollarë nga fondi i tij humanitar “XO” drejt përpjekjeve humanitare të WFP në Gaza, shkruan CNN.
“Donacioni është i barabartë me katër milionë vakte urgjente, të cilat do të financojnë 820 tonë pako ushqimore që mund të ushqejnë më shumë se 173,000 palestinezë për dy javë” thuhet në deklaratë.
Megjithatë nuk dihet se kur kjo ndihmë mund të arrijë në Gaza. Fondi humanitar i The Weeknd u krijua në partneritet me Programin Botëror të Ushqimit të OKB-së me Shtetet e Bashkuara të Amerikës në vitin 2022 dhe deri tani ka mbledhur 5 milionë dollarë.
Sipas deklaratës, 2.5 milionë dollarët e parë të fondit shkuan për të mbështetur ndihmën urgjente ushqimore për gratë dhe fëmijët në Etiopi, dhe pjesa tjetër do të ndahet për përgjigjen e Gazës.