Showbiz

Sabrina Carpenter dënon përdorimin e këngës së saj nga Shtëpia e Bardhë

Sabrina Carpenter

Sabrina Carpenter

Foto: Associated Press

Ylli i njohur, Sabrina Carpenter, nuk do që, presidenti i SHBA-së, Donald Trump, të ia përdorë muzikën e saj në Shtëpinë e Bardhë.

Në një përgjigje rreth një videoje që ka postuar Shtëpia e Bardhë, në të cilën dëgjohet kënga e saj “Esspreso”, këngëtarja ka thënë se videoja është “e keqe dhe e gërditshme”.

“Kjo video është e keqe dhe e gërditshme. Mos më përfshini mua e as muzikën time për t’i shërbyer agjendës tuaj jo humane”, ka shkruar Carpenter, ka raportuar Politico.

 

Në videon, ku shihen disa agjentë duke arrestuar disa individë, gjë që duket sikur pjesë e qasjes së Trumpit ndaj imigrantëve, në sfond dëgjohet kënga “Juno” e këngëtares.

“A e keni provuar këtë?”, thuhet në përshkimin e postimit që ka bërë Shtëpia e Bardhë, duke ju referuar tekstit të këngës.

 

Në një deklaratë, Shtëpia e Bardhë ka vazhduar t’i referohet muzikës së Carpenterit.

“Ja një mesazh ‘I shkurtër e i ëmbël’ për Sabrina Carpenterin: ne nuk do të kërkojmë falje për depërtimin e kriminelëve ilegal, të rrezikshëm, vrasës, dhunues e pedofilë nga vendi ynë. Çdokush që do t’i mbrojë këta monstrumë të sëmurë duhet të jetë budalla”, ka thënë zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Abigail Jackson, duke ju referuar albumit “Short n’Sweet” të Carpenterit dhe këngës “Manchild”.

Carpenter është e fundit nga shumë muzikantë që dënuan përdorimin e muzikës së tyre nga Trumpi dhe kërkuan që të ndalonte së përdoruri këngët e tyre, që nga kampanja e tij, në vitin 2016.

Në vitin 2024, këngëtarja Beyonce, ka kërcënuar kampanjën e Trumpit, pasi ekipi i tij kishte përdorur këngën e saj “Freedom” në videot e fushatës politike. Kjo këngë më vonë u bë pjesë e kampanjës së ish-zëvendës Presidentes, Kamala Harris.

Grupi i njohur muzikor suedez, ABBA, grupi i muzikës rok Foo Fighters si dhe muzikanti Kenny Loggins gjithashtu kanë kërkuar nga presidenti që të mos e përdorë muzikën e tyre nëpër tubime politike e në video ndër vite.