Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Showbiz

Rodrigo bashkëpunon me SHBA-në për vaksinimin

Ajo nuk e kishte arritur moshën sa të votojë për të, por ylli i popit, Olivia Rodrigo, ia ka shtrirë dorën presidentit të SHBA-së, Joe Biden, për të punuar në mënyrë që të përshpejtohet procesi i vaksinimit kundër COVID-19. Këngëtarja, 18 vjeçe, u takua me Bidenin, 78 vjeç, dhe Dr. Anthony Faucin, 80 vjeç, për ta xhiruar një reklamë që synonte inkurajimin e të rinjve për ta marrë vaksinën. Shkalla e ulët e vaksinimit të të rinjve deri më tani ka penguar që të arrihen standardet e vaksinimit nga Bideni.

Këngëtarja – pas hiteve si “Driver's Licence” dhe “Deja Vu” – pritet t’i ndajë videot edukative të xhiruara të mërkurën me 28 milionë ndjekësit e saj në mediat sociale.

Edhe Shtëpia e Bardhë do t'i promovojë ato. Duke folur nga dhoma e informimit në Shtëpinë e Bardhë, Rodrigo ka thënë se është “e nderuar” për ta dhënë mesazhin e rëndësishëm të vaksinimit të të rinjve.

Ylli i ri është falënderuar nga sekretari për shtyp, Jen Psaki, i cili ka thënë se Rodrigo vetë ishte shprehur e gatshme për të shkuar në Washington. Paraqitja e Rodrigos është përpjekja e fundit nga qeveria e Bidenit për t’i regjistruar të famshmit programin e vaksinimit. Këngëtari i zhanrit country, Brad Paisley, dhe aktorja Jennifer Garner ishin disa prej yjeve që kanë folur për këtë kauzë.

Pas një rritjeje fillestare të vaksinimeve në të gjithë SHBA-në, shifrat janë rritur në javët e fundit, në mes të rritjes alarmante të rasteve me COVID-19. Bideni e kishte vënë si qëllim që 70 për qind e të rriturve në SHBA ta merrnin të paktën një dozë deri më 4 korrik, por kjo nuk u arrit për shkak të hezitimit të amerikanëve të moshës së Rodrigos.

Sipas një raporti të qershorit nga Qendrat Amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC), afërsisht 38 për qind e amerikanëve të moshës 18-29 vjeç kanë marrë të paktën një dozë - më e ulëta nga çdo grupmoshë tjetër. Në përgjithësi, rreth 67 për qind e amerikanëve mbi 18-vjecarë e kanë marrë të paktën një dozë. Këtë verë, ish-aktorja e “Disney” u bë artistja më e re që kryesonte listat muzikore në Mbretërinë e Bashkuar me këngë dhe album në të njëjtën kohë. Albumi i saj i parë titullohet “Sour”.