Showbiz

Rita Ora flet për sakrificat e të qenit yll i muzikës pop

Këngëtarja me prejardhje kosovare dhe famë botërore, Rita Ora, ka folur hapur për vështirësitë që vijnë me famën duke insistuar se të qenit yll i muzikës pop, kërkon shumë sakrificë dhe net pa gjumë, raportoi të hënën portali “Music News”.

Ylli i hitit “Anywhere”, e cila sukseset e para në muzikë i shënoi në vitin 2012 me hitin “Hot Right Now” të realizuar në bashkëpunim me DJ Fresh, e pranon se ka shumë përparësi që vijnë me të qenit një personazh i famshëm dhe i suksesshëm, por çdo person me aspirata për t’u bërë këngëtare duhet ta kuptojë gjithashtu se do t’i humbasë shumë gjëra nga jeta e përditshme, si koha me familjen dhe një jetë stabile në shtëpi.

Gjatë një paraqitjeje të fundit në podcastin, “Smallzy’s Celebrity Small Talk”, Ora tha: “Kjo mund të jetë ëndrra e madhe e shumë personave, që është të jesh këngëtare, të gjithë ta dinë emrin tënd dhe ta shëtisësh gjithë botën, por ka edhe shumë gjëra që vijnë me famën. Gjëra të tilla si, sakrificat e ndryshme dhe netët e lodhshme pafund, ku nuk fle shumë dhe duhet të udhëtosh vazhdimisht nga një aeroplan në tjetrin për t’i ndjekur koncertet. Nuk të del kohë për t’i vizituar miqtë apo për të ndjekur festa ditëlindjesh. Humbet momente të rëndësishme me familjen dhe mungon në shumë ngjarje të organizuara nga të afërmit, kjo ngase je duke punuar në anën tjetër të botës”.

Këngëtarja e hitit “Lonely Together” e cila e pranon se puna e saj di ta bëjë të ndihet e vetmuar, tha se në ato momente fokusohet në arsyen pse e dashuron atë që e bënë.

“Është mirë që gjithmonë ta kujtosh pse të pëlqen puna që e bënë. Ndonjëherë mund të ndihesh e izoluar nga bota dhe shumë e vetmuar, por në ato momente të kujtohet pse e dashuron profesionin tënd, dhe unë kam fansa që e duan shumë muzikën time prandaj bëhem e fortë dhe vazhdoj të punoj për ta”.

Rita ka kohë që është duke punuar rreth albumit të ardhshëm në Los Angeles, dhe mezi pret që fansat t’i dëgjojnë këngët e reja që i ka incizuar.

Pop këngëtarja 31-vjeçare, e cila është në lidhje me regjisorin e filmit “Thor: Love and Thunder”, Taika Waititi, ka treguar se albumi është afër përfundimit dhe premtoi që adhuruesit do të mbesin të kënaqur por edhe të befasuar.

Image