Rita Ora e ka pranuar se "kishte frikë për jetën e saj" derisa luftoi të dilte nga kontrata e saj me kompaninë muzikore të Jay-Z, Roc Nation.
28-vjeçarja e publikoi albumin e saj debutues të vitit 2012, “Ora” në këtë shtëpi muzikore, përpara se të kërkonte të lirohej nga kontrata e saj në vitin 2015, duke pretenduar se ajo ishte neglizhuar nga shefat, shkruan KOHA Ditore. Dhe duke folur për gazetën britanike Daily Star, Rita e pranoi se procesi i gjatë, i cili e vonoi publikimin e albumit të saj të dytë Phoenix pesë vite, pati ndikim në mirëqenien e saj.

"Po kaloja nëpër ferr, tha ajo. "Definitivisht që shqetësohesha pak dhe po, kisha frikë për jetën time sepse, kjo është jeta ime. Muzika ime është gjithçka që di, kështu që definitivisht isha e frikësuar”.
Këngëtarja e “How We Do” vazhdoi duke e pranuar se shëndeti i saj mendor u ndikua nga periudha e trazuar në jetën e saj, duke shtuar: "Nuk e di nëse depresioni është fjala e duhur, por padyshim u frikësova".
Ylli më parë zbuloi se ajo e kishte një krizë nervore në vitin 2016 gjatë betejës ligjore, dhe pohoi se karriera e saj nuk po e "plotësonte atë", pavarësisht se ajo e siguroi një numër të marrëveshjeve reklamuese dhe një rol në franshizën e filmit “Fifty Shades of Grey”.