Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Showbiz

Përfaqësuesit e Michael Jackson ngrenë një padi 100-milionëdollarëshe për dokumentarin ekspozues

Ekzekutuesit e pasurisë së Michael Jackson kanë ngritur një padi prej 100 milionë dollarësh kundër drejtuesve të rrjetit HBO për dokumentarin e ri kontrovers i cili i përshkruan akuzat për abuzim seksual kundër këngëtarit të ndjerë.

Dokumentari ekspozues, i titulluar "Leaving Neverland", përqendrohet në dy meshkuj të cilët pretendojnë se Mbreti i Popit i ka keqtrajtuar kur ishin fëmijë. Këngëtari i “Thriller” e filloi lidhjen afatgjatë me familjet e Wade Robson dhe Jimmy Safechuck në fund të viteve 1980, kur ata ishin të moshës shtatë dhe dhjetë vjeç.

Në film ata e diskutojnë keqpërdorimin e supozuar të Jackson dhe se si ata më në fund u pajtuan me të kaluarën e tyre në jetën e tyre të rritur, shkruan KOHA Ditore.

Derisa ka ekzistuar një interesim i konsiderueshëm mediatik për dokumentarin, i cili është transmetuar në SHBA dhe Britani të Madhe në fillim të marsit, familja e Jacksonit ka qenë kritike në kundërshtimin e tyre kundër dokumentarit.

"Mendoj se të gjithë mund të pajtohemi se pretendimet e rreme që bëhen në 'dokumentarin' tuaj janë 'pohime të rëndësishme'", shkruajnë ata në një letër, e cila u publikua në Associated Press më herët këtë muaj. "Është e vështirë të imagjinosh akuza më të rënda që mund t’i bëhen dikujt".

Sipas “The Blast”, zyrtarët e trashëgimisë e kanë paraqitur një peticion për t’i detyruar drejtuesit e HBO-së në arbitrim dhe e kanë ngritur një padi prej 100 milionë dollarësh. Ata gjithashtu argumentojnë se për shkak se Jackson e ka një "marrëdhënie të gjatë kontraktuale" me HBO, këta të fundit e kanë shkelur një klauzolë jo-diskredituese e cila ishte pjesë e marrëveshjes së tyre të mëparshme.

Edhe Trashëgimtarët e Michael Jacksonit fitojnë apelin kundër HBO-së Showbiz Trashëgimtarët e Michael Jacksonit fitojnë apelin kundër HBO-së

"HBO e shkeli marrëveshjen e vet për të mos e diskredituar Michael Jacksonin, duke e prodhuar dhe ia shitur publikut një maratonë të njëanshme të propagandës së turpshme ekspozuese për ta shfrytëzuar pa mëdyshje një njeri të pafajshëm i cili nuk është më këtu për ta mbrojtur veten", thotë avokati i trashëgimisë Howard Weitzman.

"HBO ka mundur dhe është dashur të ishte siguruar që ‘Leaving Neverland’ ta kishte burimin e duhur, faktikisht të kontrolluar dhe me një përfaqësim të balancuar", vazhdon ai. "Në vend të kësaj, ata zgjodhën ta financonin dhe ta prodhonin një film ku e dinin që të dy subjektet për shumë vite kishin dëshmuar nën betim dhe u thanë familjarëve, miqve dhe përfaqësuesve të ligjit se z. Jackson nuk i kishte bërë asgjë të papërshtatshme asnjërit prej tyre".

“Leaving Neverland” fillimisht u shfaq në Festivalin e Filmit Sundance në Utah në janar.