Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Showbiz

Pas repimit për seksin, Kanye do të përqendrohet në muzikën operistike

Reperi amerikan, Kanye West, ka njoftuar se po e zgjeron repertorin e tij muzikor në opera, dhe se produksioni i tij i radhës do të titullohet “Nebuchadnezzar” dhe do të luhet në Los Angeles më 24 nëntor.

West gjatë fundjavës e paralajmëroi produksionin e operës në të cilën do të interpretojë kori gospel ‘Sunday Service’, me të cilin këngëtari ka realizuar këngë të shumta shpirtërore të krishtera këtë vit.

Opera, e cila do të interpretohet në sallën kaliforniane Hollywood Bowl, bëhet me regji të artistes konceptuale italiane Vanessa Beecroft, ish-dora e djathtë e West, e cila me të ka punuar në brendin e modës Yeezy, ndërsa biletat për produksionin janë në shitje nga e hëna, shkruan KOHA Ditore.

Kanye gjeti frymëzim për titullin e operës tek mbreti babilonas Nebukadnetsar (Nebuchadnezzar) II, me të cilin ai së fundmi e krahasoi veten në një intervistë, duke theksuar se edhe mbreti i lashtë vuante si ai nga çrregullimi bipolar.

“Nebukadnetsari u diagnostikua me çrregullim bipolar, gjë që nuk e pengoi atë të mbetej mbret”, - tha për Apple Music reperi amerikan, i cili kohët e fundit e shpalli veten "artisti më i madh bashkëkohor".

Edhe Kanye Westit po i anulohen një pas një koncertet në Evropë Showbiz Kanye Westit po i anulohen një pas një koncertet në Evropë

Disa njerëz besojnë se kthimi i këngëtarit në religjion, siç dëshmohet nga opera e re, por edhe albumi i fundit 'Jesus is King', lidhet thellësisht me luftën e tij personale me çrregullimin bipolar.

Edhe pse në Bibël nuk ka aludime të drejtpërdrejta për bipolaritetin e Nebukadnetsarit, në Librin e apostullit Daniel përshkruhet periudha në të cilën mbreti i Babilonisë vuante nga makthet dhe problemet mendore.