Drejtuesit e studios muzikore “On Records” i janë kundërpërgjigjur akuzave të Mozzikut për fshirjen e këngës “Madam” nga YouTube.
Njëri prej producentëve, Zzap përmes Instagramit ka thënë se këtë këngë e ka realizuar ai së bashku me kolegun e tij chrissin.
Në këtë postim ai ka shkruar të kenë gënjyer disa producentë gjermanë se këngën “Madam” e kishte krijuar reperi Mozzik, i cili së bashku me vëllanë e tij ishin larguar nga kjo studio muzikore.
“Ju more talenta le që ikët në mënyrën më të poshtër nga ne që ju krijuam, por tash po doni t’i përdorni projektet tona që i kemi krijuar unë dhe chrissi për ju dhe ua kemi dërguar në emaila duke gënjyer producentët gjermanë që ju i keni bërë si psh ‘Madam’ të cilën e kemi bërë zzapnchriss”, ka shkruar Zzap në Instagram.
“Ju garantojmë të gjithëve se drejtësia do të triumfojë dhe se mundi ynë nuk do të shkojë dëm. Të bëra me famë dhe ike në momentin kur duhej të kthehen investimet e bëra, në të cilat asnjë cent të vetëm nuk e ke dhënë ti artist i talentuar”, ka shkruar ai, derisa ka paralajmëruar se përmes një video “live” do të faktojë se kënga është prodhim i studios së tyre.