Fituesja e Oscarit, Halle Berry, në profilin e saj në Instagram shpesh ndan këshilla fitnesi me adhuruesit, të cilët mezi e kanë pritur mundësinë që ta zbulojnë sekretin për linjat e saj të përsosura. Edhe pse shpresonin se bëhet fjalë për magji ose vetëm për gjene të mira, tashmë është e qartë se aktorja bën shumë përpjekje për t’u dukur aq mirë.
"Do t'ju zbuloj se çfarë më ka mbajtur në formë, të shëndetshme dhe plot energji gjatë dhjetë viteve të fundit; bëhet fjalë për dietën, e pranoi aktorja, shkruan KOHA Ditore.
'Po, e lexuat mirë - dietë dhjetëvjeçare. Nuk bëhet fjalë për dietë tradicionale ku nënkuptohet uria, por për ushqyerje të larmishme, të ekuilibruar e cila e përfshin shmangien e ushqimeve të pashëndetshme. Luftëtari ynë i brendshëm është i mirë vetëm aq sa e ushqejmë mirë, ndërsa ajo që e hamë e ndërton themelin tonë", ka shkruar ajo duke e nxitur debatin për rëndësinë e planifikimit dhe koordinimit të ushqimit me ushtrime, por edhe për varësinë nga lëngjet (e pranon se as vetë nuk po mund t’u rezistojë) dhe për ushqimin i cili e ndihmon në luftën kundër depresionit dhe përfitimet e detoksifikimit me pije të caktuara.

Në debat u bashkua edhe trajneri i saj, i cili theksoi se vezët, avokadoja dhe arrat janë ushqimet që do t'ju japin energji të mjaftueshme për çdo ushtrim, ndërsa Halle thotë se megjithatë preferon ujë me kafeinë të pasuruar me shije të frutave. Megjithatë, aktorja e pranon se nuk mund t'i rezistojë plotësisht lëngjeve dhe se nuk heziton t'i konsumojë ato herë pas here.
