Showbiz

Një gazetë australiane detyrohet t’i kërkojë falje aktores Rebel Wilson

Një gazetë australiane është detyruar t’i kërkojë falje publike aktores, Rebel Wilson, si dhe e ka larguar një shkrim ia kishin kushtuar lidhjes së saj të re romantike.

Javën e kaluar, ylli i filmave “Pitch Perfect” e konfirmoi publikisht se është në lidhje dashurie me disenjatoren, Ramona Agruma, për çka më pas i pranoi një mori urimesh dhe mesazhesh përkrahëse.

Sidoqoftë, gazeta “The Sydney Morning Herald” u bë shënjestër e kritikave të publikut pasi gazetari i saj, Andrew Hornery, një ditë më vonë deklaroi se ishte në dijeni për lidhjen e komedianes. Ai tha se e kishte kontaktuar aktoren duke ia dhënë 2 ditë kohë për t’i kthyer koment, por ajo ia kishte “djegur” lajmin duke e bërë publike e vetme lidhjen e saj.

Shumë njerëz e kritikuan reagimin e Horneryt, duke thënë se është e papranueshme t’i bësh presion njerëzve që të deklarohen publikisht rreth orientimit seksual. Kujtojmë se kjo është lidhja e parë e Wilsonit me një person të gjinisë së njëjtë. Në të kaluarën, ajo asnjëherë nuk ishte deklaruar biseksuale apo lesbike.

Megjithëkëtë, redaktorja e gazetës, Bevan Shields, i mohoi akuzat se kanë dashur t’i bëjnë presion Wilsonit duke thënë se ata thjeshtë i kanë parashtruar pyetje.

Tani, Hornery është detyruar ta shkruaj një editorial të ri, ku i kërkoi falje komedianes australiane.

“I kam mësuar disa gjëra të reja dhe të vështira nga kjo situatë dhe dua të jem i hapur me ju për gjërat që kam gabuar. Më vjen sinqerisht keq që Rebel është gjendur në vështirësi nga veprimi im. Ky nuk ishte kurrë qëllimi im. Por po e shoh që ajo e ka menaxhuar këtë situatë në mënyrën më të mirë të mundshme. Si një burrë homoseksual, jam i vetëdijshëm se sa shumë dhemb diskriminimi. Gjëja e fundit që do të doja të bëja ndonjëherë, është t'ia shkaktojë atë dhimbje dikujt tjetër. Mua ma kishin konfirmuar lidhjen e re të Wilsonit disa burime të ndryshme, dhe kisha mjaftueshëm material për ta publikuar lajmin. Por, thjeshtë doja ta shikoja nëse aktorja donte ta jepte një koment. Emaili që ia dërgova menaxhmentit të saj nuk ishte kërcënues, por kishte për qëllim t’ia bëja të qartë atyre se isha i sigurt për informatat e mia dhe isha i hapur për ta siguruar ndonjë intervistë. Synimi i gazetës ‘Herald’ nuk është që t’i detyrojë njerëzit të deklarohen për orientimin e tyre seksual. Por e kuptoj pse emaili im mund të jetë keqkuptuar, sepse ishte formuluar në formë të gabuar. Gazeta ‘Herald’ dhe unë do t’i qasemi gjërave ndryshe tani e tutje, për t’u siguruar që ta marrim gjithmonë parasysh situatat komplekse me të cilan njerëzit përballen kur bëhet fjalë për seksualitetin e tyre”.

Rebel Wilson nuk e ka komentuar drejtpërdrejt gjithë këtë ngjarje, megjithëse në një postim të Twitter kishte shkruar se ishte vendosur në një situatë shumë të vështirë, por të cilën po përpiqet ta kalojë në mënyrën më të mirë të mundshme.