Aktori i Hollywoodit, Nicolas Cage ka thënë se IA (Inteligjenca artificiale) është një makth duke treguar se po i pengon shumë përdorimi i saj në filmin “Superman Lives” ku ai luan rolin kryesor, shkruan The Hollywood Reporter.
Gjatë një interviste që është publikuar të mërkurën Cage ka shpjeguar se gjatë xhirimeve të filmit ai ka aktruar krejt ndryshe me atë që ka parë në përfundim. Kjo ka ndodhur pasi është përdorur inteligjenca artificiale.
“IA është makth për mua. Është jo-njerëzore. S’mund të bësh diçka më jonjerëzor se inteligjenca artificiale. Do të isha shumë i pakënaqur nëse dikush ma ndryshon mënyrën se si bëj art duke e përmirësuar atë me IA”, ka thënë aktori.
Ndërkohë ai pohon se IA është përdorur edhe në filmin “The Flash” ku figura e tij u rinua nga teknologjia.
Në filmin “The Flash” karakteri i Supermenit që luhet nga Cage lufton me një krijesë nga sytë e së cilit dalin drita të kuqe laserike. Por aktori ka thënë se kjo gjë është krejtësisht ndryshe me mënyrën që ai aktroi gjatë xhirimeve.
“Kur shikova përfundimin, unë po luftoja me një merimangë gjigande. Unë nuk e bëra këtë. Nuk mendoj se e bëri IA dhe e di që as Tim Burtonit nuk i pëlqen fare dhe është i zemëruar me të. Ishte kompania filmike CGI ajo që më bën të dukem më i ri e të jem duke luftuar me një merimangë. Nuk e bëra këtë, pra nuk e di së çfarë ndodhi”, ka thënë ylli.
Aktualisht 59-vjeçari po promovon filmin e tij të ri “Dream Scenario” ku bëhet fjalë për një njëri familjar të cilit i ndërrohet jeta kur fillon të shfaqet në ëndrrat e personave të panjohur. Filmi po merr kritika të mira dhe do të lansohet më 10 nëntor.
Më parë producenti i filmave Tim Burton ka deklaruar se është shumë i nervozuar me përdorimin e IA.
“Kanë përdorur IA për të krijuar versionin tim të karaktereve të filmave të Disneyt. Nuk mund ta përshkruaj se çfarë ndjesie të jep. Më kujtonte thënien e kulturave të ndryshme që thonë ‘mos më fotografo se më merr shpirtin’... IA përthith diçka nga ti. Merr diçka nga shpirti yt dhe psikologjia jote, që është shumë shqetësuese, sidomos kur ka të bëj me ty. Është sikur një robot të ta marrë njerzillëkun, shpirtin tënd”, ka thënë Burton për The Independent.