Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Showbiz

Mot arrin adaptimi filmik i “Mulan”

Disney ka prezantuar trilerin e parë të adaptimit filmik të filmit të animuar “Mulan” të vitit 1998. Filmi i vizatuar kishte sjellë rrëfimin për vajzën, e cila shndërrohet në mashkull për të shpëtuar babanë e saj të sëmurë nga shkuarja në luftë.

Tani regjisori i njohur Niki Caro sjell versionin e vet për luftëtaren legjendare kineze.

Kur perandori kinez shpall dekretin që një mashkull nga familja duhet të shërbejë në ushtrinë e perandorit për të mbrojtur vendin nga pushtuesit veriorë, vajza më e madhe e luftëtarit legjendar Mulan shndërrohet në mashkull për të zëvendësuar babanë e sëmurë. Në ushtri ajo prezantohet si djaloshi me emrin Hua Jun.

Mulani duhet të angazhojë të gjitha forcat e veta për t’u bërë luftëtar i mirë. Ky rrugëtim epik do ta shndërrojë atë në luftëtar legjendar të cilit do t’i jetë mirënjohës i tërë vendi, shkruan KOHA Ditore.

Aktorja kineze Liu Yifei është përzgjedhur për protagonisten kryesore. Disney e kishte përzgjedhur mes 1000 kandidateve. Në film luajnë edhe Donnie Ye, Jason Scott Lee, Yoson An, Gong Li dhe Jet Li.

Premiera e “Mulanit” është paralajmëruar për 27 mars të vitit 2020. Të rikujtojmë që filmi origjinal i animuar “Mulan” kishte fituar 304.3 milionë dollarë në kinematë anembanë botës dhe ishte nominuar për “Golden Globe” dhe “Oscar”.