Ai është njeriu më i pasur në botë. Nëse e admirojmë gjenialitetin e tij me Teslan dhe SpaceX-n, dimë shumë pak për njeriun që qëndron pas inovacioneve
Elon Musk është kudo. Kjo gjithëpërfshirje jep përshtypjen se e njohim atë. Javëve të fundit asnjë personalitet tjetër nuk ka qenë më në qendër të interesit sesa drejtori ekzekutiv i prodhuesit të automjeteve elektrike, Tesla.
Që nga pushtimi rus në Ukrainë më 24 shkurt 2022, Musk pothuajse ka eklipsuar diplomacinë perëndimore. Me kërkesë të autoriteteve ukrainase ai mori përsipër t'i dërgonte në Ukrainë terminalet e lidhjes satelitore të internetit “Starlink”, të prodhuara nga kompania e tij “SpaceX”. Këtë ndihmë për Ukrainën e bëri për ta parandaluar Rusinë të fitonte luftën e komunikimit.
Disa javë më vonë Musk hapi fabrikat e Teslas në Berlin të Gjermanisë e në Austin, qytet në Teksas të SHBA-së. Por, nuk u ndal më këtë. Ai njoftoi se i bleu 9.1 për qind të aksioneve të rrjetit social Twitter, ndërsa nuk vonoi shumë për ta “lëshuar” lajmin e ri: I ofroi 43 miliardë dollarë për ta marrë plotësisht kontrollin e rrjetit social.
Fëmijëri e vetmuar, i prekur nga sindroma Asperger
Në një intervistë në “Ted Talk”, Musk tha se ka pasur një jetë të vështirë e të vetmuar dhe se ka kaluar më shumë kohë me librat sesa me moshatarët.
“Unë nuk kam pasur një fëmijëri të lumtur, për të qenë i sinqertë. Ishte mjaft e ashpër. Por lexova shumë libra. Kam lexuar shumë. Gradualisht mësova më shumë nga librat që lexoja dhe filmat që shihja. M'u desh pak më shumë kohë për t'i kuptuar gjërat që shumica e njerëzve i kuptojnë intuitivisht”, tha ai.
Elon Musk lindi më 28 qershor 1971 në Pretoria të Afrikës së Jugut. Babanë e kishte afrikan, ndërsa nënën kanadeze. Si i ri pati talent për teknologji informative dhe sipërmarrje. Si 12-vjeçar e kishte krijuar një video-lojë dhe ia kishte shitur një reviste kompjuterike.
Më 1988, pasi u pajis me pasaportë kanadeze, u largua nga Afrika e Jugut për t'iu shmangur aparteidit nëpërmjet shërbimit të detyrueshëm ushtarak. Arsye shtesë e ikjes drejt SHBA-së ishte shfrytëzimi i mundësive ekonomike.

Musk është i diagnostikuar me sindromën Asperger. Kjo sindromë njihet si formë e autizmit që manifestohet me paaftësi intelektuale ose vonesë në të shprehur. Ata që zakonisht janë të prekur nga kjo sindromë kanë vështirësi në marrëdhëniet dhe ndërveprimet me të tjerët, sipas shkencëtarëve. Pjesë të kësaj sindrome janë edhe vështirësitë në njohjen dhe kontrollimin e emocioneve. “Aspergerët” kanë vështirësi gjithashtu të krijojnë lidhje miqësore apo romantike.
Musk gjeti ngushëllim në libra dhe në programim
Duke mos e perceptuar botën e jashtme, Musk ia doli ta fitonte atë të brendshmen.
“E pashë të dobishme ta kaloja gjithë natën duke programuar kompjuterë, i vetëm. Mendoj se shumica e njerëzve nuk e pëlqejnë të shkruajnë simbole të çuditshme në kompjuter gjatë gjithë natës. Ata mendojnë se kjo nuk është argëtuese, por unë mendova se është. Më pëlqente shumë. Programoja gjithë natën dhe kjo më krijonte kënaqësi”.

“Përvojat e të gjithëve do të jenë disi më ndryshe, por supozoj se për mua shenjat sociale nuk ishin intuitive. Isha thjesht i dhënë pas librave dhe nuk i kuptoja këto. Mendoj se të tjerët mund të kuptojnë në mënyrë intuitive se çfarë nënkuptohet me diçka. Isha i prirë t'i merrja gjërat fjalë për fjalë, thjesht fjalët siç thuheshin ishin pikërisht ato që kishin kuptim. Mirëpo, kjo doli të ishte e gabuar, sepse nuk i thonë saktësisht ato që i nënkuptojnë. Ka gjithfarë gjërash që synohen. M'u desh pak kohë për ta kuptuar këtë”, rrëfeu Musk.
Kërkimi i Elon Muskut për të vërtetën
Studimet i ndoqi në universitetin “Queen's” në Ontario të Kanadasë, derisa në vitin 1992 u transferua në Universitetin e Pensilvanisë, ku mori një diplomë të bachelorit në fizikë dhe ekonomik. Si 24-vjeçar hyri në Stanford për një program në fizikë, por u largua vetëm dy ditë më pas, duke besuar se interneti kishte më tepër potencial për ta ndryshuar shoqërinë sesa puna në shkencën e fizikës.
“Isha i fiksuar pas së vërtetës, thjesht pas së vërtetës. Obsesioni me të vërtetën është arsyeja pse unë studiova fizikën, pasi fizika përpiqet ta kuptojë të vërtetën e universit. Në fizikë janë vetëm të vërtetat e faktuara të universit dhe të vërtetat që kanë fuqi parashikuese. Për mua fizika ishte një gjë shumë e natyrshme për t'u studiuar. Ishte thelbësisht interesante për ta kuptuar natyrën e universit dhe më pas teoria e informacionit për ta kuptuar logjikën”.
Dashuria për ta gjetur të vërtetën nuk e la pa pasoja. Madje disa herë e zhyti në depresion.
“Kur isha adoleshent u dëshpërova shumë me kuptimin e jetës. Po përpiqesha ta gjeja kuptimin e jetës, duke lexuar tekste religjioze dhe mbi filozofinë”.

Para SpaceX-it në 2002-n dhe Teslan në 2003-n, Musk themeloi “Zip2-n” në vitin 1995, një kompani që ofronte harta dhe drejtori biznesi për gazetat online.
Katër vjet më vonë Musk e shiti kompaninë te prodhuesi i kompjuterëve “Compaq” për 307 milionë dollarë. Më vonë miliarderi bashkëthemeloi një kompani shërbimesh financiare në internet të quajtur X.com, që më vonë u shndërrua në “Paypal”.

Sipas Indeksit të Miliarderëve të Bloombergut, Elon Musk ka 251 miliardë dollarë pasuri.
Përgatiti: Ermir Bujupaj