Netflixi sivjet po na sjell disa komedi romantike për festa, të cilat do të duhej t’i ngrohin zemrat e shikuesve në këtë dimër të ftohtë, pavarësisht nga parashikueshmëria e tyre.
Njëra prej këtyre komedive është Holiday in the Wild, e cila na u prezantua tani me fragmentin e parë. Në rolet kryesore luajnë Rob Lowe dhe Kristin Davis, ndërsa ngjarja e filmit është vendosur në zemrën e Afrikës.

Përmbledhja zyrtare e Netflixit për filmin na zbulon ngjarjen: Për të mos rënë në depresion pasi që djali i saj shkon në kolegj, njujorkezja Kate Conrad (Davis) vendos të shkojë në muajin e dytë të mjaltit me bashkëshortin e saj, shkruan KOHA Ditore. Por në vend që ta falënderojë, ai papritur e braktisë atë.
Megjithatë, Kate nuk heq dorë dhe shkon vetëm në safari në Afrikë. Gjatë udhëtimit, ajo del pak nga rruga dhe e ndihmon pilotin e vet Derek Holliston (Lowe) që ta shpëtojë një elefant të vogël, i cili kishte mbetur pa nënën. Ata kujdesen së bashku për të në një strehimore lokale të elefantëve dhe Kate vendos ta zgjasë qëndrimin e saj edhe pas festave të Krishtlindjeve. Larg luksit modern të shtëpisë, Kate lulëzon në mesin e kafshëve dhe skenave të mrekullueshme. Dashuria e saj për gjithçka që e rrethon mund të shtrihet edhe tek njeriu me të cilin i ndan të gjitha këto.
“Holiday in the Wild” mbërrin në Netflix më 1 nëntor.