Aktori Kevin Spacey i është përgjigjur deklaratave të kolegut të tij, Guy Pearce, i cili e ka akuzuar Spaceyn se e kishte “vënë në shënjestër” gjatë xhirimeve të filmit “L.A. Confidential” në vitin 1997.
“Ne kemi punuar bashkë shumë kohë më parë. Nëse kam bërë diçka që të ka shqetësuar, mund të më kishe kontaktuar. Mund të kishim biseduar. Por, në vend të kësaj, ke vendosur të flasësh me mediat. Dhe tani, sigurisht, ata po me ndjekin. Do të dish përgjigjen time? Rritu!”, ka thënë Spacey në një video të postuar në X, ka raportuar The Guardian.
VIDEO:
Grow up, Guy Pearce. You are not a victim. pic.twitter.com/33paGTj4Aq
— Kevin Spacey (@KevinSpacey) February 18, 2025
Çfarë ka thënë Guy Pearce?
Pearce, i cili më parë e kishte quajtur Spaceyn “njeri që prek shumë” në vitin 2018, u shpreh më hapur këtë javë në një intervistë për The Hollywood Reporter.
“Ai më vuri në shënjestër, pa dyshim”, tha Pearce, duke shtuar se gjatë xhirimeve ndihej më i sigurt kur kolegu i tij Simon Baker ishte pranë, sepse Spacey e zhvendoste vëmendjen tek ai. “Por bëra atë që bëjnë shumë njerëz: e injorova dhe i thosha vetes, ‘s’është asgjë e madhe’. Dhe e bëra këtë për pesë muaj. Në të vërtetë, kisha frikë nga Kevin, sepse është një njeri mjaft agresiv. Shumë karizmatik dhe brilant në punën e tij, por unë isha i ri dhe i ndjeshëm, dhe ai më vuri në shënjestër, pa diskutim”.
Pearce ka thënë se lëvizja #MeToo ishte një moment reflektimi për të dhe se akuzat e ngritura ndaj Spaceyt në atë kohë e bënë ta rishikonte përvojën e tij me aktorin.
“Kur dëgjova lajmet, shpërtheva në lot dhe nuk mund të ndalesha. Më ra në mendje ndikimi i asaj që kisha përjetuar dhe si e kisha injoruar ose bllokuar në mendjen time”, ka thënë ai.
Megjithatë, ai ka shtuar se nuk e shihte veten si viktimë në të njëjtën mënyrë si ata që kanë pësuar sulme të rënda nga abuzuesit seksualë.
Spacey e mohon dhe e sfidon Pearcein
Në videon e tij, Spacey ka pretenduar se Pearce kishte udhëtuar në Gjeorgji, një vit pas xhirimeve të “L.A. Confidential”, për ta vizituar gjatë xhirimeve të një tjetër filmi.
“E përmende këtë në media apo nuk përputhet me narrativën tënde të viktimës? Nëse nuk të pëlqente të kaloje kohë me mua, pse e bëre? Apo më ke çuar sinjale të rreme?”, e pyeti ai me ironi.
Spacey e ka përfunduar mesazhin me një sfidë të hapur.
“Nëse do të bisedosh, jam i gatshëm. Mund ta bëjmë edhe këtu, live në X. Nuk kam asgjë për të fshehur. Por, Guy - ti duhet të rritesh. Ti nuk je viktimë”, ka thënë aktori.
Pearce ka pohuar se i ka ngritur këto shqetësime drejtpërdrejt me Spaceyn vite më parë, por bisedat mes tyre “u bënë të shëmtuara”.
Nga ana tjetër, Spacey ka deklaruar se e ka marrë mesazhin e #MeToo dhe se ka “paguar çmimin për gabimet e tij”, por ka kritikuar mënyrën sesi është trajtuar nga publiku dhe mediat.