Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Showbiz

Arrestohet këngëtari amerikan D4vd, dyshohet për vrasjen e një adoleshenteje

David Anthony Burke (D4vd)

David Anthony Burke (D4vd)

Foto: Associated Press

Këngëtari amerikan D4vd është arrestuar nën dyshimin për vrasjen e një vajze adoleshente që ishte raportuar e zhdukur vitin e kaluar, sipas policisë.

Artisti, emri i plotë i të cilit është David Anthony Burke, ishte objektivi i një hetimi nga juria e madhe për vrasjen e dyshuar të 14-vjeçares Celeste Rivas Hernandez. Mbetjet mortore të saj u gjetën në muajin shtator brenda një makine të tipit Tesla që lidhej me adresën e tij, ka raportuar BBC.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Policia e Los Angelesit bëri të ditur se 21-vjeçari po mbahet pa të drejtë lirimi me kusht dhe se rasti do t’i paraqitet Prokurorisë të hënën.

“E kemi arrestuar Burke për vrasjen e Celeste Rivas”, thuhet në deklaratën e autoriteteve.

Dyshimet nisën më 8 shtator 2025, kur autoritetet zbuluan trupin e vajzës në një parking për automjete të tërhequra në Hollywood, pasi u raportua një erë e rëndë që vinte nga makina.

Sipas dokumenteve gjyqësore, hetuesit gjetën “kokën dhe pjesën e sipërme të trupit, në gjendje të dekompozuar, brenda një qeseje mortore në bagazhin e makinës”.

Mjeku ligjor ka deklaruar se trupi ishte “shumë i dekompozuar” dhe nuk dha menjëherë shkakun e vdekjes, duke theksuar se hetimet po vazhdojnë. Zyrtarët besojnë se vajza mund të ketë qenë e vdekur “për disa javë” para se të gjendej.

Deri më tani, shkaku i vdekjes nuk është bërë publik.

Celeste Rivas Hernandez ishte raportuar e zhdukur nga familja e saj në muajin prill të vitit 2024. Ajo jetonte rreth 120 kilometra larg vendit ku u gjet trupi i saj. Sipas mediave amerikane, ajo njihej në lagje si një vajzë që shkonte shpesh në dyqan për të blerë ëmbëlsira dhe pije.

Mungesa e informacionit për rastin ka nxitur shumë spekulime në rrjetet sociale, ku njerëzit përpiqen të kuptojnë lidhjen e mundshme mes vajzës dhe këngëtarit.

Hetimet morën një kthesë të re në muajin dhjetor, kur juria e madhe filloi të shqyrtonte provat. Arrestimi i fundit konsiderohet zhvillimi më i rëndësishëm pas muajsh pa informacione të reja.

Dokumentet gjyqësore zbuluan se Burke ishte identifikuar si “objektiv i hetimit nga juria e madhe” dhe mund të përballet me “një akuzë për vrasje”.

Detaje të tjera tregojnë se vajza, kur u gjet, kishte veshur një bluzë të shkurtër, gete të zeza dhe bizhuteri, përfshirë një vath dhe një byzylyk metalik. Ajo kishte gjithashtu një tatuazh me shkrimin “Shhh…” në gishtin tregues, një shenjë pothuajse identike me atë të këngëtarit.

Pas zbulimit të trupit, D4vd ka anuluar turneun e tij botëror dhe u tërhoq nga vëmendja publike. Policia bastisi gjithashtu vilën e tij në Hollywood Hills.

Si pasojë e skandalit, ai u hoq nga fushatat reklamuese të brendeve si “Hollister” dhe “Crocs”.

Përfaqësuesit e këngëtarit kanë deklaruar më herët se ai “po bashkëpunon me autoritetet”, ndërsa deri tani vetë ai ka qëndruar pothuajse në heshtje.