Në moshën 10-vjeçare, aktorja Lindsay Lohan u bë e njohur në serialin “Another World”, duke u përshkruar që atëherë si “profesioniste me përvojë”.
Debutimi i saj në film erdhi me filmin e prodhuar nga kompania Disney, “The Parent Trap” në vitin 1998, ku luajti dy role, atë të dy motrave binjake, me ndjeshmëri dhe gamë të gjerë emocionesh, duke fituar çmimin “Young Artist Award”, ka shkruar FemaleFirst.
Më pas erdhën sukseset që e vendosën në hartën e showbizit, filmat “Freaky Friday” në vitin 2003, “Mean Girls” në vitin 2004 dhe albumi i saj i parë muzikor, “Speak”.
Kritikët e vlerësuan për “karizmën dhe anën e saj komike”.
Rënia: presioni i famës
Deri në vitin 2007, historia e Lohan mori kthesë të vështirë: disa arrestime, një akuzë për ngasje të veturës nën ndikimin e alkoolit, qëndrime të përsëritura në qendra rehabilitimi dhe vëmendje e vazhdueshme mediatike mbi jetën e saj personale. Problemet ligjore dhe tabloidët nisën të errësonin talentin që kishte ndërtuar.
Por, megjithatë, ajo nuk u zhduk plotësisht.
Në vitin 2014, u rikthye me një anë më personale përmes serisë dokumentare “Lindsay”.
Më pas u përqendrua në biznese: hapi klube plazhi në Greqi, një faqe lifestyle, dhe u shfaq në reality shown e MTV-së “Lindsay Lohan’s Beach Club” që dokumentoi biznesin e saj në Mykonos. Nuk ishte rikthim i madh në aktrim, por tregoi vendosmërinë dhe aftësinë për t’u riformuar.
Rikthimi: nga viti 2021 deri më tash
Viti 2022 shënoi pikën e kthesës. Platforma transmetuese Netflix e solli sërish në qendër të vëmendjes me filmin “Falling for Christmas”, roli i saj i parë i madh pas gati një dekade.
Filmi u bë një nga prodhimet festive më të shikuara në platformë, dhe publiku e pa sërish tërheqëse.
Më pas erdhi filmi “Irish Wish” (2024), i zhanrit romancë-komedi, i cili, ndonëse me skenar të parashikueshëm, u mbështet në “praninë e saj ngjitëse” për të funksionuar.
Projekti i tretë me Netflix, “Our Little Secret”, ishte më emocional dhe mbylli një trilogji.
Në jetën personale, Lohan ndoqi një rrugë më të qetë. Ajo u martua me Bader Shammas në vitin 2022 dhe mirëpriti një djalë në vitin 2023.
Në vitin 2025, ajo prezantoi një linjë të produkteve të bukurisë të fokusuar në serumet për kujdesin e lëkurës, një hap i natyrshëm për dikë të njohur për bukurinë dhe aftësinë për t’u riformuar.
Këtë vit, doli edhe filmi “Freakier Friday”, duke e ribashkuar me aktoren Jamie Lee Curtis në një vazhdim plot humor e kaos të filmit “Freaky Friday”.
Këtë herë, filmi kishte një nuancë më të pjekur, me elementë të mëmësisë dhe magjisë. Kritikët dhe publiku e pritën mirë, duke e cilësuar si “rikthim solid” dhe duke lavdëruar “kiminë e ripërtërirë” mes dy aktoreve.
