Kylie Minogue është përherë në lëvizje.
Prej paraqitjes së parë televizive në serinë australiane “The Sullivans” në moshën dhjetëvjeçare, ajo është zhvilluar nga një aktore në yll të popit, ikonë mode, autore për fëmijë, pjesë e jurisë në shou televizivë e deri si disenjatore e suksesshme e orendive shtëpiake.
Eksperimentimet
Karriera e saj është përcaktuar prej zhvillimeve të jashtëzakonshme, por gjithnjë duke e ruajtur kreativitetin pavarësisht se cilës fushë i përkushtohej më shumë. Do të bëhej e njohur për hite të mëdha, si: “Better The Devil You Knoë” dhe “Can’t Get You Out Of My Head”, duke vazhduar pastaj me këngë më eksperimentale si “Slow” dhe “Cherry Bomb”.
Por, pavarësisht të gjithave, Kylie ka ruajtur frymën e hareshme dhe të gjallë në muzikën e saj. Ishte muzika ajo me të cilën ra përherë të parë në dashuri si fëmijë në vitet shtatëdhjetë në Melburn, shumë kohë para se të niste të mendonte seriozisht për jetësimin e ëndrrës që të bëhej yll i muzikës pop. Dhe këtë e bëri me shumë përkushtim e angazhim personal.
“Kur isha tetë a nëntë vjeçe, pretendoja se kisha marrë pjesë në koncerte të Abba-s në dhomën time të gjumit me shoqet e mia”, do të deklaronte ajo më 1988 për revistën “Smash Hits”. “Vishnim fustane dhe pretendonim se ishim Abba, duke u hedhur në shtratin e gjumit e duke kënduar me krehër. Unë gjithnjë isha biondina”.
Pas mahnitjes së pastajme me muzikën country të mishëruar në albumin “Golden”, Kylie ka rikthyer frymën e dashurisë së saj të zjarrtë për muzikën disco.
Studio me batanije
Megjithëse vjet kishte nisur ta shkruante, kënga ishte larg prej të përfunduarit kur në mars vendi u mbyll si masë për parandalimin e përhapjes së koronavirusit. Papritmas, ylli i njohur i muzikës erdhi në banesën e saj në Londër, që do ta kthente në studio të improvizuar me qëllim që të mund të kujdesej për izolimin e vokaleve. Përdori batanije dhe rroba me të cilat veshi murin për zërim sa më të mirë.
Por, për një njeri që është vazhdimisht në lëvizje, që dikur kishte thënë se “ose jam në lëvizje, ose në gjumë”, karantina ishte një mundim i madh.
“Është e vështirë të thellohesh në mendime dhe të jesh pozitive”, thekson ajo. “Dhe kisha moment të ngjashëm gjatë mbylljes së parë, ku duhej t’i rrëfehesha dikujt se po kaloja në situatë të sikletshme”.
“Dhe nëse nuk do të kisha mundësi ta punoja albumin, gjithçka do të shkonte ndryshe”. Dhe ajo po punon fort në fazën finale, me qëllim që javën e ardhshme ta promovojë albumin. “Disco” nuk është reflektim i krizës së shkaktuar nga pandemia. Sikurse Dua Lipa dhe Lady Gaga, edhe Kylie po mendon që të ofrojë për adhuruesit e saj dhjetëra minuta qejfi me elemente diskografike.
“Sivjet është folur shumë për lidhjen, ose mungesën e lidhjes ndërmjet njerëzve, saqë rrekja e njerëzve që ta kenë qëllim afrimin u kthye në motivim të madh për mua”.
Duke folur nga shtëpia e saj në Londër dy ditë para publikimit të albumit, Kylie ka folur edhe për përvojën e jashtëzakonshme të pjesëmarrjes në Glastonbury dhe për kohën e saj të artë si artiste.