Showbiz

Ka vdekur ish i dashuri i Jennifer Lopezit

Ka vdekur ish i dashuri i 50-vjeçares, Jennifer Lopez.

David Cruz dhe këngëtarja e aktorja e njohur, e kishin filluar lidhjen romantike sa ishin në shkollë të mesme, ndërsa kishin qëndruar së bashku nga viti 1985 deri më 1993, transmeton Koha.

Sipas uebfaqes TMZ.com, Zyra e Ekzaminuesit Mjekësor të New Yorkut e ka konfirmuar lajmin se Cruz, i cili ishte vetëm një vit më i vjetër se Lopezi, fatkeqësisht ka vdekur të shtunën më 21 mars në spitalin “Mount Sinai West” në Manhattan, si pasojë e një sëmundjeje të zemrës.

Partnerja e tij prej kohësh, Isa Cruz, e ka kujtuar atë si një burrë të sjellshëm dhe të dashur, si dhe një baba i përkushtuar ndaj djalit të saj.

“Ai ishte i sjellshëm dhe i dashur. Asnjëherë nuk i ka fshehur ndjenjat apo mendimet e tij dhe ka qenë gjithnjë shumë i hapur me të gjithë. Ai ishte një baba i përkushtuar dhe më ka ndihmuar në çdo formë ta rrisja djalin tim i cili tani shërben në Marinë. Ai i adhuronte ekipet e “Yankees” dhe “Knicks”. I pëlqente të shkonim në teatër bashkë. Dhe më e rëndësishmja, ai gjithmonë sigurohej që secilën fjali ta përfundonte me fjalën “Të dua”,” citohet të ketë thënë Isa Cruz.

Jennifer Lopez aktualisht është e fejuar me ish lojtarin e bejsbollit, Alex Rodriguez, ndërsa në të kaluarën ka qenë e martuar tri herë, me Cris Judd, Ojani Noa dhe me yllin e muzikës, Marc Anthony, me të cilin i ka binjakët 12-vjeçar, Max dhe Emme. Shkurorëzimi i çiftit kishte përfunduar në viti 2014.

Këngëtarja e hitit “On The Floor” në të kaluarën ka pasur lidhje romantike edhe me personalitete të njohura të showbizit si: Drake, Puff Diddy, Ben Affleck dhe Casper Smart.