Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Showbiz

Vdiq David Warner, aktori i filmit “Titanic”

Aktori britanik, David Warner, i cili shquhej për role të ndryshme nga tragjeditë shekspiriane e deri te filmat klasik të zhanrit fantastiko-shkencor, ka vdekur në moshën 80-vjeçare, raporton “NBC News”.

Familja e Warnerit bëri të ditur se ai vdiq të dielën mbrëma nga sëmundja e kancerit.

Shpesh i angazhuar për të portretizuar role negative, nga publiku i gjerë Warner do të mbahet në mend për angazhimin e tij në trilerin psikologjik të vitit 1971, “Straw Dogs”, filmin klasik horror të vitit 1976, “The Omen”, aventurën e udhëtimit nëpër kohë të vitit 1979, “Time After Time” dhe filmin me buxhet të lartë të vitit 1997, “Titanic”, ku e portretizoi shërbëtorin keqdashës Spicer Lovejoy.

Gjatë karrierës së tij të pasur me role teatrale, televizive dhe filmike, Warner po ashtu ka luajtur në filmin e vitit 1968, “A Midsummer Night’s Dream”, krahas aktoreve Helen Mirren dhe Diana Rigg.

Pavarësisht faktit se vlerësohej si aktor i teatrit, frika kronike nga performimi në skenë bëri që për shumë vjet, Warner ta preferonte më shumë punën në film dhe televizion.