Justin Bieber ka reaguar për herë të parë ndaj lajmeve që e lidhin me producentin e njohur të muzikës rap, Sean “Diddy” Combs, i cili po përballet me akuza për trafikim seksual dhe abuzim seksual, ka raportuar Page Six.
“Justin nuk është një nga viktimat e Sean Combs. Megjithatë, ka individë që janë dëmtuar realisht nga ai. Të largosh vëmendjen nga kjo e vërtetë i dëmton përpjekjet për drejtësi që këto viktima e meritojnë”, ka thënë zëdhënësi i këngëtarit për Page Six.
Kjo deklaratë është bërë pasi në faqe të ndryshme në internet ishin rishfaqur video të vjetra të Combsit dhe Bieberit, duke ngjallur spekulime rreth natyrës së marrëdhënies së tyre, sidomos pas arrestimit të Combsit në muajin shtator të vitit 2024, nën dyshimet për trafikim seksual.
Në një nga videot, e cila është përshkruar si “e frikshme”, Diddy flet për 48 orët që do t’i kalonte me Bieberin atëherë 15-vjeçar.
“Ku po rrimë dhe çka po bëjmë, nuk mund të tregojmë, por është padyshim ëndrra e çdo 15-vjeçari”, dëgjohet të thotë reperi.
Në një video tjetër, Combs shton se nuk e ka kujdestarinë ligjore ndaj Bieberit.
“Nuk kam kujdestari ligjore ndaj tij [Bieber], por për 48 orët e ardhshme, ai është me mua. Do ta çojmë në ekstrem, do çmendemi”, dëgjohej të ketë thënë Combs në video.
Megjithatë, përkundër pritshmërive që Bieber do të fliste pas arrestimit të Combs, burime për revistën People kanë thënë se ai po fokusohej te familja, djali i tij Jack Blues dhe bashkëshortja Hailey Bieber.
Combs, 55 vjeç, themelues i labelit “Bad Boy Records”, u arrestua dhe u akuzua nga ish-e dashura e tij Cassandra “Cassie” Ventura, si dhe nga disa persona të tjerë për abuzim seksual dhe përdhunim.
Megjithatë, ai i ka mohuar akuzat.
“Nuk ka rëndësi sa shumë padi ngrihen, veçanërisht nga individë që nuk guxojnë t’i vendosin emrat e tyre pas pretendimeve, kjo nuk e ndryshon faktin se z. Combs nuk ka abuzuar apo trafikuar seksualisht askënd, as burra e as gra, as të rritur e as të mitur”, kanë deklaruar avokatët e tij më herët për Page Six.
Gjykimi i Combs nisi më 5 maj dhe po tërheq vëmendje të madhe publike dhe mediatike.