Këngëtarja Jennifer Lopez pati një moment të sikletshëm gjatë koncertit të saj në Varshavë të Polonisë, fundjavën e kaluar, kur fundi i saj i artë i ra në mes të performancës, ka shkruar TMZ.
Ylli i hitit “Jenny From The Block” ishte duke performuar në stadiumin PGE Narodowy në kuadër të turneut të saj “Up All Night: Live”, kur doli në skenë me bikini ngjyrë ari dhe fund të njëjtë, ndërsa ekipi i saj këndonte “Gëzuar ditëlindjen” për nder të ditëlindjes së saj që ishte një ditë më parë, më 24 korrik. Teksa ecte nëpër skenë, fundi i ra papritur, duke e lënë vetëm me të brendshmet.
Pasi fundi përfundoi në dysheme, Lopez u rrotullua për të treguar të brendshmet e arta.
“Jam këtu me të brendshme… Kjo do të shfaqet gjithandej”, ka thënë ajo.
Një nga balerinët u përpoq ta ndihmonte ta vendoste sërish fundin, por ajo vetëm qeshi dhe e hodhi fundin drejt publikut.
“Jam me fat që ma kishin përforcuar këtë kostum. Dhe jam me fat që kisha veshur të brendshme. Zakonisht nuk i vesh… Djem, duhet t’jua them… Po, mund ta mbani (fundin), nuk e dua më. Nuk e dua më, mund ta keni përgjithmonë”, ka thënë tutje ylli.
Lopez, e cila mbushi 56 vjeç të enjten, vazhdoi duke u shprehur mirënjohëse për festimin në një natë të veçantë.
“Jam shumë falënderuese që jam këtu në Varshavën e bukur për ditëlindjen time. E rrethuar nga balerinët e mi të mrekullueshëm, grupi im, ekipi im, jam shumë e bekuar”, ka thënë këngëtarja.
Ajo ka shtuar se zakonisht nuk jep këshilla, sepse beson që secili njeri është në rrugëtimin e vet.
“Por nëse do të jepja një copëz të vogël këshille, do të ishte kjo: bëni atë që doni, gjeni atë që doni, bëjeni me njerëz që i doni, dhe do të keni jetën më të mrekullueshme. Po ju flas nga përvoja”, i tha publikut latino-amerikania.
Në fund, Lopez ndau edhe një reflektim emocional duke thënë se lumturia lidhet me lirinë.
“Besoj se lumturia që ke në zemër është e lidhur drejtpërdrejt me sa i lirë ndihesh. Ju dëshiroj të gjithëve po aq lumturi dhe liri sa më dhuruat mua sonte. Dua që të ndiheni të lirë të dashuroni, të lirë të jeni vetvetja, të lirë të ndiqni ëndrrat tuaja dhe të bëni gjithçka që dëshironi. Thjesht dua që të ndiheni të lirë”, ka thënë ndër të tjera ajo.