Ylli i Hollywoodit, Jamie Foxx, ka zbuluar arsyen që e detyroi të shtrihet në spital në prill të vitit të kaluar.
Duke folur për një speciale të “Netflixit”, ylli i filmit “Django Unchained” i ka thënë audiencës se kishte pësuar “gjakderdhje në tru që çoi te një sulm”.
Ai tha se kishte kokëdhembje të madhe një ditë dhe kërkoi një aspirinë, por para se të mund ta pinte i humbi ndjenjat.
“Nuk i mbaj mend 20 ditë”, tha Foxx, raporton “BBC”.
Në atë kohë vajza e tij Corinne Foxx tha se ai ka pasur një “komplikim shëndetësor”, por familja nuk dha më tepër detaje.
Në një bisedë emocionale me audiencën për “Jamie Foxx: What Had Happened Was...”, të xhiruar në Atlanta, qytetin ku ai po punonte kur u sëmurë, Foxx tha se fillimisht ishte dërguar në shtëpi nga mjekët pasi iu dha një injeksion me kortizon.
Motra e tij më pas erdhi ta shohë dhe e vërejti se ai nuk ishte vetja dhe e çoi me veturë në spitalin Piedmont.
Aty një mjek i tha se ai kishte një gjakderdhje në tru që kishte çuar në një sulm. U tha: “Nëse nuk ndërhyj në kokën e tij tash, do ta humbim”.
Mjekët s’mundën të gjenin burimin e gjakderdhjes në tru.
Foxx po ashtu tregoi se mjeku i tha se “mund të jetë në gjendje të shërohet plotësisht, por do të jetë viti më i keq i tij”.
Ylli i filmit e përgëzoi motrën Deidra Dixon dhe vajzën Corinne që u përkujdesën që askush të mos e shihte në atë gjendje.
“Ato s’donin që ju të më shihnit në atë gjendje dhe unë s’doja po ashtu të më shihnit ashtu”, ka thënë Foxx.