Aktori James McAvoy i ka dhuruar 275,000 funte për blerjen e pajisjeve mbrojtëse për punëtorët e Shërbimit Shëndetësor Kombëtar, të cilët po e luftojnë pandeminë e koronavirusit, transmeton Koha.
Ylli i filmave “X-Men” e shfrytëzoi rrjetin social Instagram për ta bërë të ditur lajmin se ka dhuruar të holla për fushatën “#Masks4NHSHeroes”, e cila po mbledh të holla për t’i siguruar stafit mjekësorë të Shërbimit Shëndetësor Kombëtar, maska dhe mjete të tjera mbrojtëse të cilat u nevojiten teksa i trajtojnë personat e prekur nga kjo sëmundje vdekjeprurëse.
Në një video e cila i bënë thirrje edhe të tjerëve të dhurojnë për këtë organizatë, aktori tha: “Përshëndetje, unë jam James McAvoy dhe kam vendosur të flas për një fondacion të quajtur ‘Masks For Heroes’. Të gjithë ne kemi dëgjuar histori të mjekëve dhe motrave shëndetësore të cilët po detyrohen t’i blejnë pajisjet mbrojtëse në internet apo nëpër dyqane, dhe atë me paratë e tyre. Por, këto pajisje nuk janë shumë të mira njësoj sikurse kjo situatë. Ato, jo vetëm që i vënë mjekët në rrezik për t’u prekur nga COVID-19, por edhe i vë në rrezik të lartë që t’i infektojnë edhe prindërit e tyre apo familjarët e pacientëve të tyre. Kjo është një situatë vërtetë emergjente dhe koha është një faktor i rëndësishëm për të vepruar në këtë drejtim.”
40-vjeçari McAvoy, gjithashtu tregoi se fondacioni “Masks For Heroes” po siguron pajisje të verifikuara nga shitës ndërkombëtarë, dhe paratë e mbledhura për këtë kauzë do të ndihmojnë në shpëtimin e jetëve.
Përfshirja e aktorit të njohur hollywoodian, James McAvoy, në këtë fushatë vjen pasi Britania e Madhe i lajmëroi afërsisht 20.000 raste me koronavirus, derisa mbi 1.200 persona e kanë humbur jetën si pasojë e kësaj sëmundjeje.