Showbiz

Ikona e muzikës Bob Dylan sot feston ditëlindjen e 80-të

Adhurues anembanë botës e nderuan muzikantin Bob Dylan në ditëlindjen e tij të 80-të.

Qyteti i lindjes së legjendës së muzikës, Duluth në Minnesota, po e shënon edicionin e 11-të të festivalit vjetor, “Duluth Dylan Fest”, me ç’rast adhurues nga e gjithë bota janë ftuar t’i bashkohen festës së jetës së tij dhe karrierës 6 dekadëshe në muzikë.

Ndjekësit besnik të Dylanit për ta shënuar këtë ditëlindje jubilare, po ashtu janë ftuar të festojnë jashtë shtëpisë së fëmijërisë së yllit të muzikës, ku ai kishte jetuar deri në moshën 6-vjeçare.

Ngjarja e organizuar në formatin virtual, për shkak të pandemisë të vazhdueshme të koronavirusit, po mbahet nga 22 maji dhe do të vazhdojë deri më 30 maj.

Këtë vit, organizatorët e festivalit për nderë të Dylanit kanë krijuar gara të shkrimit të këngëve, poezisë dhe ngjarje të tjera.

Në anën tjetër, në New York ku Dylan ishte zhvendosur në vitin 1961 për ta ndjekur ëndrrën e tij për t’u bërë yll i muzikës, radiostacioni “WFUV” përgjatë ditës do t’i transmetojë 80 këngë të këngëtarit të njohur.

Muzikanti legjendar i cili ndër vite është shpërblyer me disa çmime të rëndësishme, si Medalja Presidenciale e Lirisë, 10 shpërblime “Grammy”, një çmim “Globi i Artë” dhe një “Oscar”, pas tetë vjetësh mungese në skenën muzikore, në vitin 2020 e publikoi albumin e parë me muzikë origjinale, “Rough and Rowdy Ways”.

Pjesë e albumit ishte edhe kënga 17 minutëshe “Murder Most Foul”, e cila flet për atentatin e vitit 1963 ndaj presidentit të ndjerë amerikan, John F. Kennedy.

Ajo u bë kënga e tij e parë e pozicionuar në maje të çdo topliste muzikore “Billboard” në SHBA.

Albumi i fundit me këngë të reja i këngëtarit, poetit dhe muzikantit të njohur, u lansua në vitin 2012 dhe titullohet “Tempest”.

Ylli i hitit “Knockin’ On Heaven’s Door”, Dylan, i cili gjatë karrierës i ka lansuar 39 albume muzikore, në viti 2016 u nderua me çmimin Nobel për Letërsi, duke u vlerësuar për krijimin shprehjeve të reja poetike brenda traditës së madhe të këngës amerikane.