Aktori i njohur britanik, Idris Elba, e shikon punën si lloj terapie për t’u ballafaquar me ndjenjat dhe sfidat e tij personale.
Ylli i filmit “The Suicide Squad 2” adhuron të pranojë role filmike që janë më sfiduese dhe komplekse, dhe shpesh e identifikon veten tek personazhet që i portretizon, përfshirë këtu sfidat me të cilat ata përballen. Elba thotë se jo gjithmonë njerëzit e vërejnë këtë gjë, por ai është mësuar ta trajtojë punën e tij si aktorë, sikur një lloj terapie.
“Nuk ka dyshim për këtë gjë. Personazhet e mia të preferuara në film, zakonisht ballafaqohen me beteja emocionale, shtypje të ndjenjave dhe përballje intensive. Rolet të cilat i pranojë, zakonisht janë komplekse dhe mua më pëlqen të thellohem në to dhe t’i eksplorojë, sepse në këtë formë më shërbejnë si një lloj terapie. Shumë herë lexoj ndonjë pjesë të skenarit dhe mendoj me veti, ‘në fshehtësi edhe unë jam duke u përballur me diçka të tillë’. Kjo gjë është e vërtetë”, citohet të ketë thënë aktori.
48-vjeçari Elba po ashtu e pranoi se nganjëherë mendon që kjo qasje e tij ndaj punës mund të shihet si veprim mashtrues, pasi nuk i duket se është duke aktruar në të vërtetë.
“Nëse gjatë interpretimit të një roli t’i njëkohësisht je duke u përballur me disa aspekte të personalitetit tënd, a mund të quhet ky aktrim i vërtetë? Nganjëherë njerëzit më thonë se jam shumë i mirë në një rol, dhe unë mendoj me vete, ‘ata nuk e kuptojnë se unë jam përballur me të vërtetë me të gjitha emocionet që i kam aktruar në rol’”, ka deklaruar Elba për revistën “Guardian Weekend”.
Aktori në veçanti e identifikon veten me presionet që i ka ndjerë nga personazhi, Stringer Bell, në serialin “The Wire” dhe e pranoi se kishte pranuar ta luaj rolin protagonist të policit, John Luther, në serialin “Luther”, ngase ky personazh i ka kërkuar ta portretizojë dikë që përjeton kriza të mesmoshës, në kohën kur ai gjithashtu po ndihej i zhgënjyer me punën e tij.
“Unë definitivisht e ka shfrytëzuar punën për t’i luftuar demonët përbrenda vetes, nuk ka fare dyshim për këtë gjë”, ka përfunduar aktori.
Një projekt i vështirë për t’u realizuar nga Elba, ishte seriali komik “In the Long Run” i cili bazohet në fëmijërinë e tij, dhe ku aktori e portretizon babanë e tij të ndjerë, Winston Elba, i cili vdiq nga kanceri në vitin 2013.
“Ai do ta pëlqente shumë këtë serial. Babai im e kishte një sens të mrekullueshëm të humorit, dhe me shumë lehtësi bënte shaka me mua apo edhe me veten. E si të mos thuash që puna ime më ka shërbyer edhe si terapi? Më duhet ta pranojë, gjatë xhirimeve të këtij projekti kam hasur në disa momente të vështira, me ç’rast përfshihesha nga emocione dhe shpërtheja në lot”.
Idris Elba rikthehet shumë shpejtë në ekran të madh me filmin “The Suicide Squad 2”, i cili lansohet për publikun e gjerë më 6 gusht të këtij viti.