Showbiz

Halsey të premten e lanson albumin e parë me muzikë live

Kantautorja dhe aktivistja e njohur amerikane, Halsey, e ka paralajmëruar lansimin e albumit të saj të parë të incizuar live. Me titull “Badlands: Live From Webster Hall”, incizimi i ri pritet të publikohet të premten më 28 gusht.

Ky projekt vjen pesë vjet pas lansimit të albumit të saj debutues “Badlands”, i cili përfshiu këngë të tilla si “Colours”, “Ghost”, “New Americana” dhe “Castle”, transmeton Koha.

Halsey emri i vërtetë i së cilës është Ashley Nicolette Frangipane, e bëri të ditur lajmin e mirë përmes një postimi në rrjetet sociale, me ç’rast e ndau me fansat e saj edhe punën artistike të ballinës së albumit të ri.

“Sekreti u zbulua. Pas 5 vjetësh, po i rikthehemi albumit ‘Badlands’. Me shumë entuziazëm ju njoftoj se këtë të premte, më 28 gusht, lansohet albumi im i parë me muzikë live i cili titullohet ‘Badlands’”, kishte shkruar këngëtarja në mesazhin e saj në Instagram.

 

 

Incizimi i ri ka për qëllim ta festojë pesë vjetorin e debutimit të këngëtares në tregun muzikor. Ai është incizuar në vitin 2019 në sallën “Webster Hall”, ku Halsey kishte performuar si pjesë e dy koncerteve intime.

Halsey gjatë karrierës së saj i ka lansuar edhe tri albume të tjera: “Room 93” në vitin 2014, “Hopeless Fountain Kingdom” në vitin 2017 dhe “Manic” i cili u publikua vitin e kaluar.

Ndërkaq, në qershor ajo u bë bashkë me DJ dhe producentin, Marshmello në realizimin e këngës “Be Kind”, si dhe një muaj më vonë e lansoi një bashkëpunim post-mortem me reperin e ndjerë, Juice WRLD.