Deri këtë verë, gjithçka dukej normale për Chiara Ferragnin, bllogeren italiane që u kthye në super-influencere globale. Ajo xhironte kampanja në Meksikë, ndiqte sfilatat e brendit “Schiaparelli” në Paris, lëvizte nga një hotel luksoz në tjetrin dhe pozonte me një burrë që fansat e saj mendonin se është i dashuri i saj i ri. Çdo moment e ndante me 28.3 milionë ndjekësit e saj në rrjetin social Instagram.
Por më 23 shtator, 38-vjeçarja u paraqit në Gjykatën e Milanos për një arsye krejt tjetër: seancën paraprake për akuzat e rënda për mashtrim, të lidhura me skandalin e ëmbëlsirës festive “Pandoro”, të cilin mediat ialiane e quajtën “Pandorogate”. Prokuroria e Milanos kërkon një vit e tetë muaj burgim.

Revista prestigjioze Grazzia, ka shkruar se ka qenë rënie spektakolare për një nga influencueset e para globale. Dikur fitonte rreth 100 mijë dollarë për çdo postim, kishte një kukull “Barbie” me pamjen e saj dhe ishte protagoniste e një dokumentari në platformën Netflix me ish-bashkëshortin, reperin Fedez.
Ndërkohë që në rrjetet sociale jepte idenë se gjithçka shkonte mirë, 18 muajt e fundit ajo i ka kaluar duke tentuar të riparojë reputacionin. Është larguar nga posti i drejtoreshës menaxhuese në kompaninë e saj, dyqani i saj kryesor në Milano u mbyll verën e kaluar dhe, edhe nëse shpallet e pafajshme, shumë ekspertë dyshojnë se brendi i saj do të rikuperohet ndonjëherë.
Si ndodhi gjithë kjo?
Në vitin 2009, kur nisi blogun e saj “The Blonde Salad”, ajo ishte studente e drejtësisë që përpiqej të hynte në industrinë e modës, të cilën e përshkruante si “snobe”. Blogu u bë hit falë punës së saj të palodhur, personalitetit dhe faktit që ajo ndante pa hezitim jetën e saj personale.
“Nuk më intereson të kem shumë privatësi... më pëlqen ta ndaj, është ndjesi e mirë”, pati thënë ajo.
“Ajo u dallua si një nga influencueset e para që kapërceu kufijtë kulturorë. Që në fillim, ajo e ndërtoi brendin me një qasje shumë biznesore”, ka shpjeguar Sara McCorquodale, autore dhe themeluese e platformës Corq.
Partneritetet me brende të njohura si “Gucci”, “Versace”, “Bulgari” dhe “L’Oréal” pasuan shpejt, si edhe linjat e saj të modës, syzeve, parfumeve dhe produkteve të bukurisë. Martesa me Fedez në vitin 2018 e shndërroi në super yll, ajo dhe familja e saj u quajtën shpesh “Kardashianët italianë”, pasi edhe motrat e Ferragnit janë influencere. Ata patën edhe një reality show, “The Ferragnez”, me dy fëmijët e tyre, Leone dhe Vittoria.
Në vitin 2023, kompania Fenice (që menaxhonte markën e Ferragnit) u vlerësua me 75 milionë euro dhe një kompani bleu 25 për qind të aksioneve. Por më pas erdhën akuzat e Autoritetit Italian të Konkurrencës: se ajo kishte krijuar idenë e rreme se fitimet nga një edicion special i ëmbëlsirës së Krishtlindjes “Pink Pandoro” do të shkonin për një spital fëmijësh.
Hetimi zbuloi se fabrika “Balocco” kishte bërë vetëm një donacion prej 50 mijë eurosh, ndërsa Ferragni kishte marrë 1 milion euro për bashkëpunimin. “Pandorot” ishin edhe tre herë më të shtrenjta se zakonisht, gjë që ndezi më shumë zemërimin online. Pastaj dolën akuza të ngjashme edhe për një vezë të Pashkëve të vitit 2021.
Ajo pagoi një gjobë prej 1 milion eurosh, dhuroi 1 milion euro për spitalin dhe 1.2 milion euro për një qendër për fëmijë me aftësi të kufizuara. Pranoi gjithashtu të kompensojë blerësit e “Pandoros” me 150 euro secilin dhe të dhurojë 200 mijë euro për një organizatë të grave.

Por as kjo nuk e shpëtoi reputacionin e saj.
Videoja e saj në Instagram, ku e cilësoi të gjithë situatën si “një gabim komunikimi”, u prit shumë keq nga publiku. Coca-Cola anuloi bashkëpunimet dhe investimi i madh në kompaninë e saj u tërhoq. Ndërkohë, martesa me Fedez u prish, shoqëruar me thashetheme për tradhti.
Autoritet e Milanos thonë se konsumatorët “u dëmtuan” nga “informacione mashtruese” dhe se Ferragni jo vetëm që “përfitoi padrejtësisht”, por përdori partneritetet për të forcuar imazhin e saj. Avokatët e saj këmbëngulin se çështja “nuk ka relevancë penale” dhe shtojnë se “pafajësia e klientes sonë do të provohet patjetër”.
Gjykatësja e seancës paraprake mund edhe të vendosë të mos e çojë çështjen në gjyq të plotë. Por edhe vetë seanca pritet të jetë spektakolare. Në të njëjtën çështje janë të akuzuar edhe ish-menaxheri i saj, Fabio Damato, dhe Francesco Cannillo, president i Cerealitalia-ID, kompania që prodhoi vezët e Pashkëve. Alessandra Balocco, drejtor ekzekutiv Baloccos, ishte gjithashtu nën hetim, por vdiq muajin e kaluar pas një sëmundjeje të gjatë.
Gazetarja Selvaggia Lucarelli, e cila publikoi artikullin që ngriti dyshimet për donacionet, mendon se e tërë situa është pak e tepruar.
Ajo ka thënë se Ferragni “ka paguar mjaftueshëm”, jo vetëm financiarisht, por edhe në gjykatën e opinionit publik.
McCorquodale mendon njësoj, duke e parë rastin si pasojë të mungesës së rregullimit të industrisë së influencerëve.
“Për një kohë të gjatë, kjo industri nuk është marrë seriozisht dhe korniza ligjore është e mjerueshme, prandaj raste të tilla ishin të pashmangshme”, ka thënë McCorquodale
Ajo shton ka shtuar se shumë influencues rrethohen me njerëz oportunistë që nuk kanë profesionalizëm.
“Ndoshta ekipi i Chiaras as nuk e dinte që ajo po bënte diçka juridikisht të gabuar, ose nuk ua ndiente”, ka thënë ajo.
Vitin e kaluar, Italia miratoi ligjin që tashmë njihet si “Ligji Ferragni”, për të rregulluar influencuesit me më shumë se 1 milion ndjekës, me qëllim luftimin e reklamimit të rremë. Dhe sipas McCorquodales, kjo strategji ka shumë më tepër kuptim sesa të ndëshkosh një influencuese të vetme me shpresën që të tjerët do të frikësohen.
“Shpresoj që të mos e kthejnë në një kurban, sepse do të ishte e padrejtë dhe e lehtë si zgjidhje”, ka thënë ajo.
Ferragni pritet të rikthehet në gjykatë më 19 dhjetor, ku mbrojtja do të paraqesë argumentet e saj.
Vendimi pritet të merret në muajin janar, sipas L’Unione Sarda.