Aktori i njohur Gerard Butler ka treguar se ka pasur një eksperiencë të vështirë gjatë xhirimeve të filmit “Den of Thieves 2: Pantera”.
Në një intervistë për The Entertainment Weekly ai ka treguar detaje rreth vështirësive që ka përjetuar gjatë xhirimeve të filmit aksion. Ai ka theksuar se ka xhiruar filmin me një ligament të gjurit të shkëputur, të cilin ka thënë se e kishte dëmtuar vetëm një muaj pas një operacioni të rëndë.
“Ishte një kohë e çuditshme për mua në fillim të këtij filmi, sepse kisha kaluar një operacion shumë të rëndë, dhe pastaj e kisha këputur plotësisht ACL-në rreth një muaj më vonë dhe fillova xhirimet për këtë film”, ka thënë aktori për The Entertainment Weekly.
Ai tutje ka thënë se për këtë arsye nuk ishte në formën më të mirë.
“Nuk pata mundësi ta bëja operacionin për ligamentin e këputur në gju, kështu që vetëm vazhdova të punoj dhe ishte shumë e vështirë. Do të doja të thoja se ishte gjithçka në rregull por nuk ishte, sepse gjithnjë isha duke kërkuar diçka e duke u ankuar”, ka thënë tutje ai.
Pavarësisht nga ky shqetësim fizik, ai ka vazhduar me filmin dhe e ka përfunduar atë.
“Den of Thieves 2: Pantera” është një film aksion-dramë e krim, ku Butler rishfaqet me rolin e tij si Nicholas “Big Nick” O'Brien, i cili në këtë vazhdim kërkon të kapë Donnie Wilsonin, personazhin e luajtur nga aktori O'Shea Jackson Jr., për të planifikuar një vjedhje tjetër.
Filmi do të shfaqet në kinema më 10 janar dhe në të përveç Butler dhe Jackson Jr., luajnë edhe aktorë të tjerë si Evin Ahmad e Salvatore Esposito.