Reperi me prejardhje nga Kosova, Labinot “Larry” Gashi”, në një intervistë për “405” ka folur për vështirësitë e tij në jetë dhe për përgatitjen që të ngjitet në skenën e muzikës ndërkombëtare.
“Në Brooklyn, me kulturat e ndryshme, Gashi është i gatshëm të përdorë këto kultura si frymëzim për zhvillimin e zërit të tij në muzikë. Gashi është i njohur për zërin dhe repin e tij të veçantë, por jehona e zërit të tij nga New Yorku e bën që të veçohet prej të tjerëve”, shkruan 405.
Gashi në një intervistë për këtë gazetë, ka thënë se Big Sean ishte arsyeja që ka braktisur shkollën për t’u bërë këngëtar. Sivjet ai do të jetë pjesë e turneut botëror të Big Sean, transmeton Koha.net.
“Njerëzit nuk e dinë, por Big Sean është arsyeja që unë ika nga shkolla. Kur dëgjova të kaluarën e Big Sean përmes mixtape-it ‘Finally Famous’, më frymëzoi që të veproja njëjtë. I shkruaja çdo ditë në faqen e tij. Ishin vitet 2007, 08, ose 09. I shkruaja se një ditë do të bënim një këngë bashkë dhe se do të performonim së bashku. Në vitin 2018, ëndrrat po më bëhen realitet”.