Kompania diskografike e reperit të famshëm amerikan Eminem, BMI, ka kërkuar që të mos këndohen këngët e reperit nga kandidati republikan për president të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Vivek Ramaswamy.
Avokatët e Eminemit i kanë dërguar një letër kandidatit republikan për president, Vivek Ramaswamy, me këtë kërkesë.
Letra vjen më shumë se një javë pasi sipërmarrësi i bioteknologjisë dha një performancë të improvizuar të “Lose Yourself” në Iowa, ka shkruar BBC.
Letra, e datës 23 gusht, u dërgua nga kompania diskografike e Eminemit, BMI.
VIDEO:
Eminem demands Vivek Ramaswamy stop playing and rapping his music on campaign trail?. pic.twitter.com/LYVfaB0gpB
— N3RO (@N3RONEWS) August 29, 2023
Ramaswamy po konkurron për të eliminuar Donald Trumpin si kandidati republikan për zgjedhjet e vitit 2024.
Një zëdhënëse e kandidatit ka thënë se Ramaswamy do ta përmbushë kërkesën e Eminemit, emri i vërtetë i të cilit është Marshall Mathers III.
Letra thotë se kompania mori një kërkesë nga Eminemi që kundërshtonte përdorimin nga ana e republikanit të kompozimeve muzikore të tij.
“BMI do të konsiderojë nga kjo datë që çdo shfaqje e veprave të Eminemit në fushatën e Vivekut si shkelje materiale e licencës së saj”, ka shtuar zëdhënësi.
Duke iu referuar një lirike të Eminemit, zëdhënësja e fushatës, Tricia McLaughlin, ka thënë se “Viveku u ngjit në skenë dhe nuk mendoi shumë e nisi të rimonte”.
“Për hatër të popullit amerikan, ne do të duhet t'ia lëmë rimat e repit Slim Shadyt të vërtetë”, ka thënë ajo për mediat amerikane.
Ramaswamy postoi në Twitter, për të qartësuar situatën. I sapoardhur në fushën politike, 38-vjeçari shihet si yll në rritje në fushatë pas një performance të fortë në debatin republikan të javës së kaluar.
Ai e ka pozicionuar veten si i gatshëm për të zhvilluar agjendën e Trumpit “Amerika e para”.
Tashmë është bërë traditë në SHBA që politikanëve t’u dërgohen letra e padi për zgjedhjet e tyre të këngëve në fushatë.
Ish-presidenti Trump mori dhjetëra letra nga yjet duke përfshirë Rolling Stones, Queen, Adele dhe Pharrell Williams duke e informuar se i mungonte leja për të përdorur muzikën e tyre në fushatë dhe ngjarjet presidenciale.
Në vitin 2008, Foo Fighters u shprehën kundër republikanit John McCain për përdorimin e melodisë së “My Hero” gjatë garës presidenciale dhe Jackson Browne ngriti padi kundër fushatës për ta detyruar të ndalonte përdorimin e këngës “Running on Empty”.
Përgatiti: Vita Abrashi-Kajtazi