Seriali i platformës Netflix, “Emily in Paris”, po hyn në kapitullin e pestë, por këtë herë pa një nga personazhet më të dashur (dhe njëkohësisht më të diskutueshëm): Camille.
Aktorja Camille Razat, që luan mikeshën/rivalen e protagonistes Emily (Lily Collins), nuk figuron në listën e aktorëve të rikthyer për sezonin e ri, sipas njoftimit zyrtar të Netflix të enjten, ka raportuar CNN.
Razat ka qenë pjesë e pandashme e kastit që prej sezonit të parë, si partnerja e ndërlikuar e Gabrielit (Lucas Bravo).
CNN ka kërkuar koment nga përfaqësuesit e Netflix dhe vetë Razat për të sqaruar nëse kjo mungesë është përfundimtare apo e përkohshme.
Ndërkohë është konfirmuar rikthimi i yjeve të tjerë si Lily Collins, Lucas Bravo, Ashley Park, Philippine Leroy-Beaulieu, Lucien Laviscount, si dhe i dashuri i ri italian i Emilyt, Marcello, rolin e të cilit e interpreton aktori, Eugenio Franceschini, i cili do të ketë rol qendror në zhvillimet e reja.
Rikthimi i Bravos (Gabrielit) ndodh pas deklaratave të tij të mëparshme për IndieWire, ku shprehej i pakënaqur me drejtimin e karakterit të tij dhe shqetësohej nëse donte të ishte pjesë e sezonit të pestë.
Netflix ka njoftuar se xhirimet e sezonit të ri do të nisin në muajin maj, fillimisht në Romë, në përputhje me finalen e sezonit 4, ku Emily merr detyrën për të hapur një degë të agjencisë së saj në kryeqytetin italian, dhe më pas do të kthehen në Paris gjatë verës.
Edhe
“Emily in Paris” përfundon pas sezonit të gjashtë
Lidhja e saj e re me Marcellon pritet të trazojë edhe më tej ujërat në trekëndëshin romantik Emily-Gabriel-Camille, ndërkohë që Gabriel ndjek ëndrrën për një yll “Michelin” për restorantin e tij.
“Marcello është një aventurë e re që e duam për Emilyn, sepse duam që ajo më në fund të gjejë balancën punë-jetë. Duam ta shohim të buzëqeshë pa kushte, përtej mënyrës së saj tipike ‘pushim i përhershëm’. Ai vjen në kohën e duhur”, ka thënë Lily Collins.
Data zyrtare për publikimin e sezonit të 5-të ende nuk është konfirmuar.