Showbiz

“Emily in Paris”, një përmbledhje klishesh

Krijuesi i hitit të Netflixit, “Emily in Paris” e ka mbrojtur të premten serialin, pas një sërë kritikash se pamjet e shpërfaqura aty të qytetit janë të idealizuara dhe klishe.

Skenaristi dhe producenti ekzekutiv, amerikani Darren Star, ka thënë se “nuk ndihet keq se e shpërfaqi Parisin nëpërmjet thjerrëzave përplot glamur”.

Seriali e shpalos jetën e një riosheje amerikane, të portretizuar nga Lily Collins, e cila udhëton në kryeqytetin francez me qëllime pune, shkruan BBC. Por është kritikuar, veçanërisht në Francë, për promovimin e imazheve dhe stereotipave të qytetit dhe banorëve të tij.

“Asnjë lloj klisheje nuk është kursyer, madje as ato prej më të dëshpërueshmeve”, ka shkruar Charles Martin nga revista “Premiere”, në kritikën e tij në frëngjishte, në kohën kur seriali e pati debutimin gjatë fillimit të këtij muaji.

“Përmendeni një klishe për Francën dhe francezët, dhe do ta gjeni atë tek ‘Emily in Paris’”, është pajtuar Fabien Randanne nga “20 Minutes”, transmeton KOHA.

“Emily in Paris” është përballur edhe me kritikat e kritikëve jofrancezë të filmit, me ç’rast njëri prej tyre ka pretenduar se seriali e pasqyron “një version stripash” të kryeqytetit francez.

“Gjysma e parë e sezonit është një lloj ekzoricizëm i të gjitha klisheve franceze që mund t’u kenë rënë në mend skenaristëve”, ka shkruar Rebecca Nicholson nga e përditshmja britanike “The Guardian”, në vlerësimin e saj njëyllësh për serinë.

Ed Cummingu i të përditshmes tjetër britanike “The Independent” i ka dhënë vlerësim të njëjtë serisë, rrëfimin e të cilit ai e ndërlidhi me “një lloj parku lojërash me motive parisiene të stilit të filave uestern”.

Për dallim prej tyre, kritikë të tjerë kanë qenë më të mëshirshëm. Daniel D'Addario i “Variety”-s e ka quajtur serinë “një qejf” kundruall “një ambient vërtet tërheqës”.

Ndërkohë, “E! Online” ka publikuar dy kritika me opinione krejtësisht të kundërta, duke e përshkruar serinë si “rifreskues” e në anën tjetër “të padurueshëm”.

Duke folur për “The Hollywood Reporter”, Star i cili i vuri nënshkrimin edhe filmit “Sex and the City”, ka thënë se ka provuar që filmi i tij i ri të jetë “një letër dashurie për Parisin” e shikuar nëpërmjet syve të personazhit të Collinsit.

“Gjërat e para që ajo sheh janë klishet, për shkak se ky është këndvështrim i saj”, ka shpjeguar ai. “Kam dashur të bëj një film që e shfaq këtë pjesë të Parisit”.

Në fillim të këtij muaji, Star ka bërë të ditur se ai i ka shfrytëzuar përvojat e tij nga vizitat në qytet. “Kam dashur ta paraqes Parisin në një mënyrë të mrekullueshme që do t’i nxiste njerëzit të bien në dashuri me këtë qytet ashtu siç kam rënë edhe unë”, ka treguar ai për “New York Times”.

Ende nuk është miratuar sezoni i dytë i serialit, por Star ka njoftuar se ai tanimë ka një ide se çfarë do të bënte në vazhdim heroina e filmit.

“Ajo do të jetë më shumë si banore e qytetit (në sezonin e dytë)”, ka thënë ai, duke folur për revistën “Oprah”. “Ajo do të jetë pak më me këmbë për tokë”.

Vetë Collinsi ka thënë për “Vanity Fair” se ajo nuk do të donte asgjë më shumë sesa të mund të shkonte përsëri në Paris për ta xhiruar sezonin e dytë të serisë.

Aktorja britanike 31-vjeçare është vajza e yllit të muzikës pop, Phil Collins.