Vajza e mbretëreshës së muzikës pop, Lourdes “Lola” Leon, po i ndjek hapat e nënës së saj të famshme, raporton “Billboard”.
25-vjeçarja ka zgjedhur të merret me muzikë, duke e lansuar këngën debutuese “Lock&Key”, nën emrin artistik, Lolahol. Kështu, ajo po e gdhend rrugën e saj në industrinë e muzikës me një stil të veçantë të të kënduarit.
Kënga “Lock&Key”, e cila vjen e bashkëprodhuar nga Eartheater, është lansuar nga studioja incizuese me të cilën këngëtarja bashkëpunon, “Chemical X”.
Lourdes është vajza e Madonnas me valltarin kubanez, Carlos Leon. Në muajin tetor, ajo e realizoi një intervistë intime me aktoren, njëherësh mikeshën e kamotshme, Debi Mazar, me ç’rast tregoi se si ishte jeta me një nënë superyll të muzikës.
Lourdes tha se, ndryshe nga e ëma e saj punëtore e cila gjithmonë ka pasur ambicie të shumta, ajo nuk e ka ndonjë synim specifik sa i përket karrierës. Prandaj e ka provuar veten në fusha të ndryshme si, modelimi dhe vallëzimi, por nuk e fshehu interesimin për t’i ndjekur hapat e nënës së saj dhe të bëhet këngëtare.
“Sinqerisht, aktorët më bezdisin shumë dhe nuk duroj të jem pranë tyre. Sa i përket muzikës, unë mund të këndoj. Thjesht nuk më intereson shumë si profesion. Ndoshta ka të bëjë me faktin se jam rritur në një familje muzikantësh. Unë jam gjykuar që në moshë të re, por mendoj se privatësia është arsyeja pse arrita të mbaj mendjen të shëndoshë. Rëndësi për mua ka që fillimisht ta kuptoj se kush jam unë, përpara se ta lejoj dikë tjetër të përpiqet të më tregojë se kush jam”.
Albumi i fundit i incizuar në studio i Madonnas ishte, “Madame X”, i cili u publikua në qershor të vitit 2019. Në dhjetor të vitit të kaluar ajo i paralajmëroi fansat se do të lansojë muzikë të re gjatë këtij viti.
E pyetur se çfarë mund të presin nga ajo në një të ardhme të shkurtër, Madonna tha se thjesht po kërkon mënyra interesante dhe argëtuese për ta ribotuar katalogun dhe për t’ia prezantuar muzikën e saj, një brezi të ri adhuruesish.
Yll i muzikës pop, gjithashtu është duke punuar në realizimin e filmit të saj biografik, skenarin e së cilit e ka bashkëshkruar me Diablo Codyn dhe po e bënë regjinë e tij.