Dua Lipa ka deklaruar se “asnjëherë nuk ka dëgjuar” për këngët për të cilat është ngritur padi për plagjiaturë kundër saj.
Në mars të këtij viti, tekstshkruesit L Russell Brown dhe Sandy Linzer e kanë akuzuar këngëtaren kosovare me famë botërore se hitin e saj të vitit 2020 “Levitating” e ka vjedhur nga kënga e tyre e vitit 1979 “Wiggle and Giggle All Night”.
Për vjedhje të “Levitating” Dua është akuzuar dhe për një këngë tjetër të vitit 1980, të titulluar "Don Diablo", të cilën Brown dhe Linzer tani e zotërojnë pasi dëshmuan se ajo kishte kopjuar këngën "Wiggle".
Në një letër drejtuar një gjykatësi në New York, të siguruar nga Billboard, transmeton Koha.net, avokatja e këngëtares 27-vjeçare ka kërkuar që padia të hidhet poshtë, pasi sië pretendohet, këngëtarja “nuk ka dëgjuar” asnjëherë për këngët për të cilat akuzohet se i ka vjedhur.
“Ankesa pretendon se të pandehurit supozohet se kishin akses në ‘Wiggle’ dhe ‘Don Diablo’ sepse të dyja ‘mund të gjenden në shërbimet e njohura të transmetimit’”, thuhet në letrën e avokates, Chritine Lepera.
"Megjithatë, ka shumë miliona regjistrime muzikore të disponueshme në shërbimet e transmetimit, dhe disponueshmëria e thjeshtë e regjistrimeve në ato shërbime nuk krijon shpërndarje të gjerë”, ka sqaruar më tej avokatja.
Në padinë e ngritur më 4 mars të këtij viti, Brown dhe Linzer kanë deklaruar se “melodia bazë”, në fillim të këngës “Levitating” të Dua Lipës, është kopjuar nga këngët e tyre, duke e quajtur atë një “duplifikim”.
Ata po ashtu kanë thënë se kjo melodi ka kontribuuar në suksesin e madh të këngës në Tik Tok dhe Instagram.