Showbiz

Dua Lipa e mrekullueshme në ballinën e numrit të ri të revistës “Elle”

Edhe pse në karantinë, Dua Lipa, duket se ka arritur t’i realizojë disa projekte para se të vetizolohej me të dashurin e saj, Anwar Hadid, për shkak të pandemisë së koronavirusit.

Një prej këtyre projekteve, është fotosesioni i jashtëzakonshëm për revistën prestigjioze, “Elle” i cili është realizuar nga fotografja Zoey Grossman. Në disa prej këtyre pozave, këngëtarja me prejardhje kosovare shfaqet pothuajse e zhveshur, me një kitarë të madhe e cila ia mbulon pjesët intime të trupit, derisa fotografitë e tjera janë shumë në trend me modën e fundit, transmeton Koha.

Përveç përfshirjes në ballinë, Lipa gjithashtu e ka realizuar një intervistë intime për këtë revistë, ku ka folur për eksperiencën në karantinë, lansimin jo të zakonshëm të albumit të dytë muzikor dhe suksesin e deri tanishëm të tij, ani pse është detyruar ta promovojë atë në kushte të jashtëzakonshme.

“Future Nostalgia” përmban gjithsej 11 këngë që janë të frymëzuara nga stili i muzikës së viteve ‘80 dhe ‘90, për të cilat Lipa ka deklaruar se është inspiruar edhe në muzikën që prindërit e saj e kishin dëgjuar, me t’u zhvendosur nga Kosova në Britani të Madhe.

Ndër të tjera, Dua Lipa, ka thënë se është optimiste dhe shpreson shumë se kjo krizë globale e shkaktuar nga pandemia e koronavirusit, do t’i ndihmojë njerëzit të reflektojnë më ndryshe.

“Mendoj se pas pandemisë, gjërat do të ndryshojnë patjetër. Mendoj se ne do ta trajtojmë natyrën pak më mirë dhe nuk do të tregohemi aq të pakujdesshëm, si më parë. Mendoj se do të jemi më empatik dhe do ta vlerësojmë më mirë kohën tonë. Gjithashtu mendoj se bota do të ndryshojë përgjithmonë, pas kalimit të kësaj situate,” ka deklaruar Lipa për revistën “Elle”.

“Future Nostalgia” është albumi i dytë i 24-vjeçares i cili u lansua më 27 mars, dhe deri më tani ka arritur të pozicionohet në vendin e parë të toplistave të albumeve më të mirë në Britani të Madhe. Ekspertët e muzikës parashikojnë se suksesi i tij do të vazhdoj edhe pas pandemisë, pikërisht ngase konsiderojnë se, Dua Lipa, është shumë e kujdesshme dhe e përkushtuar në krijimin e artit të saj në muzikë.

{gallery}