Dua Lipa po vazhdon të lërë gjurmë në botën e modës. Ylli botëror i muzikës me prejardhje kosovare do ta ketë nderin të shërbejë si bashkëkryetare e edicionit të sivjetmë të ngjarjes më të rëndësishme të modës në botë, “Met Gala”.
Pop këngëtarja 27-vjeçare është në mesin e personaliteteve të famshme që do të ndihmojnë në organizimin e ngjarjes glamuroze që mbahet në muajin maj në New York, duke ju bashkuar kështu panelit të përbërë nga aktoret, Penelope Cruz dhe Michaela Coel, lojtari i tenisit Roger Federer dhe natyrisht, redaktorja e famshme e revistës “Vogue”, Anna Wintour.
Dua e bëri të ditur lajmin përmes një postimi në faqen e saj në Instagram, ku shkruhej: “E lumtur t’ju lajmëroj se jam njëra prej kryetareve të ngjarjes ‘MetGala 2023’, krahas yjeve Michaela Coel, Penelope Cruz, Roger Federer dhe Anna Wintour. Shihemi të hënën e parë të muajit maj”.
Ngjarja e sivjetme ka për qëllim ta nderojë ikonën e modës, Karl Lagerfeld, i cili vdiq në vitin 2019. Po ashtu vjen në përkrahje të Institutit të Kostumeve në Muzeun Metropolitan të Arteve.
Ajo mbahet më 1 maj dhe do ta përfshijë ekspozitën e titulluar, “Karl Lagerfeld: A Line of Beauty”, e cila gjurmon karrierën e modës të disenjatorit të ndjerë gjatë dekadave dhe shfaqë shumë nga skicat dhe dizajnet e tij të mrekullueshme. Ndërsa, kjo ekspozitë do të jetë në dispozicionin e publikut nga data 5 maj.
Vitin e kaluar, “Met Gala” u organizua nën temën “Në Amerikë: Një Antologji e Modës”, që e eksploronte origjinën e modës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Yje të shumtë nga bota e filmit, modës dhe muzikës e ndoqën këtë ngjarje, të tillë si: Blake Livley dhe Ryan Reynolds, Alicia Keys, Sarah Jessica-Parker, Billie Eilish, Gwen Stefani, Jared Leto, Elon Musk, Hilary Clinton dhe të tjerë.
Që të gjithë e përfaqësonin ndonjë shtëpi të modës apo disenjatorë, me kostumet, fustanet dhe aksesorët e tyre, që kishin për qëllim të përshtateshin me glamurin e vjetër.
Por, vëmendjen më të madhe gjatë natës e rrëmbeu Kim Kardashian. Pak kohë para se të përfundonte parakalimi mbi qilim të kuq, ylli televiziv u shfaq me fustanin e disenjatores Jean Louis, të cilin ikona e hollywoodit Marilyn Monroe e kishte veshur në vitin 1962 kur i bëri serenatë ish-presidentit, John F. Kennedy, në ditëlindjen e tij.
{gallery}