Dua Lipa do ta argëtojë turmën në ngjarjen e sivjetme “FN Achievement Awards”, e cila mbahet më 30 nëntor në New York.
Pop ylli i famshëm botëror dhe bashkëpunëtori i saj i kamotshëm nga marka “Puma”, disenjatori dhe kantautori, Billy Walsh, do ta pranojnë shpërblimin e parë “Koleksioni i vitit”, për bashkëpunimin e tyre në linjën e titulluar shqip, “Puma x Dua Lipa Flutur Drop 2”.

Në nëntor të vitit 2020, “Puma” nënshkroi marrëveshje me Lipën që ajo të shërbejë si fytyra reklamuese e koleksionit të tyre për femra. Përmes fushatave globale dhe koleksionit të krijuar nga këngëtarja, Lipa dhe “Puma”, e kanë vazhduar bashkëpunimin me synimin që t’i inspirojnë gratë anembanë botës.
Koleksioni i fundit i dyshes Lipa dhe Walsh, “Flutur Drop 2”, i përfshin më shumë se 30 artikuj me ngjyra të gjalla dhe pamje të përshtatshme të frymëzuara nga kultura e shkollës së vjetër.
Ky koleksion është inspiruar nga prejardhja shqiptare e Duas, prandaj e mban titullin “Flutur”.
“Flutura përfaqëson tranzicionin, metamorfozën dhe fillimet e reja. Me krijimin e koleksioneve u ndjeva sikur në fillim, kur fillova të punoj për herë të parë, dhe flutura tashmë kishte shumë kuptim për mua. Me koleksionin e ri, ai kuptim sapo është forcuar dhe është bërë edhe më i rëndësishëm në jetën time”, deklaroi Lipa.
Edhe
Dua Lipa dhe Donatella Versace krijojnë koleksion të përbashkët
Përveç këngëtares me prejardhje kosovare, në ceremoninë e 30 nëntorit do të nderohen edhe personalitete tjera të rëndësishme për botën e modës, si Christian Louboutin i cili e merr çmimin special për arritje jetësore, Amina Muaddi e cila shpërblehet me çmimin “Disenjatorja e vitit” dhe të tjerë.
Për 35 vjet, ngjarja e përvitshme “FN Achievement Awards”, shpesh e konsideruar si “Oscari i veshmbathjeve”, i ka nderuar yjet nga bota e modës, markat më të mira, filantropët entuziast, talentet e rinj dhe veteranët e kësaj industrie.