Showbiz

Doktori nga Kalifornia do ta pranojë fajësinë në rastin e vdekjes së Matthew Perryt

Matthew Perry

Matthew Perry

Foto: Associated Press

Një doktor nga Kalifornia, i cili është akuzuar se e ka furnizuar aktorin e njohur Matthew Perry me drogën e quajtur ketaminë, javët e fundit para se të vdiste aktori, ka pranuar marrëveshjen për pranimin e fajësisë, ka raportuar BBC.

Doktori, Salvador Plasencia do të deklarohet fajtor për katër akuza për shpërndarje të ketaminës, kanë njoftuar të hënën prokurorët federalë.

Sipas marrëveshjes së deklarimit të fajësisë, doktori do të mund të përballet me dënim maksimal prej 40 vjetësh burgim dhe pritet ta pranojë fajësinë në javët në vijim.

Matthew Perry, i njohur në mbarë botën për rolin e Chandler Bing në serialin e mirënjohur “Friends”, u gjet i vdekur në muajin tetor të vitit 2023 në vaskën e shtëpisë së tij në Los Angeles. 
Perry ishte 54 vjeç. Aktori kishte folur hapur për betejat e tij me depresionin dhe varësinë, por vdekja e tij ka tronditur adhuruesit në të gjithë botën.

Sipas mesazheve të shkëmbyera mes doktorëve të përfshirë në rast, doktori, Mark Chavez, i cili tashmë ka pranuar fajësinë, ka ndarë me prokurorët një mesazh ku doktori Plasencia e kishte quajtur Perryn “idiot” dhe kishte pyetur: “Sa do të ishte i gatshëm të paguante për drogën?”, thuhet në dokumentet e gjykatës.

Sipas marrëveshjes së pranuar nga Plasencia, ai e kishte injektuar Perryn me ketaminë disa herë, në shtëpinë e tij dhe madje edhe në një parking në Long Beach. Për më tepër, ai e kishte mësuar asistenten e Perryt, e cila është gjithashtu e akuzuar në këtë rast, se si t’i administronte injeksionet vetë. Mjeku gjithashtu i kishte shitur shishe shtesë të ketaminës për t’i mbajtur në shtëpi.

Prokurorët thonë se Plasencia është njëri nga pesë personat e përfshirë në një rrjet të fshehtë doktorësh dhe shpërndarësish që i kishin siguruar Perryt ketaminë jashtë përshkrimeve ligjore.

Perry po përdorte ketaminë të përshkruar ligjërisht si pjesë e trajtimit kundër depresionit, por ai “kërkonte më shumë sesa sasia e lejuar me recetë”, thuhet në dosjen e gjykatës.

Në total, sipas marrëveshjes së fajësisë, ndërmjet 30 shtatorit dhe 12 tetorit 2023, Plasencia kishte shitur për Perryn dhe asistenten e tij njëzet shishe 5-mililitërshe me ketamine, më pak se një paketë të plotë tabletash ketamine dhe shiringa për përdorim.