Sipas një studimi të fundit të realizuar nga platforma digjitale “NOW TV”, është zbuluar se filmi aksion i vitit 1988, “Die Hard”, së bashku me filmat “Dirty Dancing” dhe “The Wizard of Oz”, janë filmat më të rishikuar nga publiku.
Ky hulumtim po ashtu ka zbuluar se britanikët e kanë shikuar secilin nga këta tre filma, nga 12 herë gjatë jetës së tyre, transmeton Koha. Gjithashtu bëhet e ditur se shikueshmëria e këtyre projekteve është dyfishuar gjatë kohës së karantinës.
“Është e qartë se ne si komb, gjejmë rehati dhe ngushëllim tek shikimi i filmave dhe serive tona të preferuara, në kohë të vështira ku ndihemi të brengosur dhe në ankth. Nuk ka asgjë më të mirë se një film i vjetër klasik për të na bërë të ndihemi nostalgjik dhe të lehtësuar, prandaj nuk është befasuese që e kemi shijuar kohën në karantinë duke i rishikuar disa prej projekteve tona të preferuara kinematografike,” citohet të ketë thënë Marina Storti, drejtoreshë menaxhuese e platformës “NOW TV”.
Në listën e 20 filmave të më të rishikuar sipas këtij hulumtimi të kryer në Britani të madhe, përfshihen: “Die Hard”, “Dirty Dancing”, “The Wizard of Oz”, “Star Wars: A New Hope”, “Star Wars: The Empire Strikes Back”, “Star Wars: Return of the Jedi”, “Mary Poppins”, “The Sound of Music”, “Back to the Future”, “The Breakfast Club”, “The Lion King”, “The Incredibles”, “Rocky”, “Ghostbusters”, “Monsters Inc”, “Lethal Weapon”, “Top Gun”, “Harry Potter and the Philosopher's Stone”, “The Godfather” dhe “Jaws”.