Pas pranimit publik të lidhjes së dashurisë tashmë janë paraqitur thashethemet për fejesën e manekines 26-vjeçare, Cara Delevingne dhe të dashurës së saj 29-vjeçare, aktores Ashley Benson.
Çifti ishte parë këto ditë nëpër rrugën e Saint-Tropez në jug të Francës, dhe të gjithë kishin vërejtur unazat identike në duart e tyre të cilat më parë nuk i kishin pasur, shkruan KOHA Ditore. Nuk kaloi shumë kohë dhe në rrjetet sociale filluan të qarkullojnë hamendësimet që ato janë fejuar gjatë shëtitjes nëpër jugun e Francës.
“Cara Delevingne dhe Ashley Benson vërtetë janë fejuar, zemra po më pëlcet”, “Do të qaj”, “Nuk e dija që Ashley Benson i do femrat, ndërsa tani është fejuar me Cara Delevingne”, “Ashley dhe Cara janë fejuar, përsëri kemi fituar”, janë vetëm disa prej komenteve të adhuruesve të tyre të ngazëllyer.
Për lidhjen e tyre filloi të flitej fillimisht në maj të vitit të kaluar, ndërsa lidhjen e konfirmuar para pak javësh.