Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Showbiz

Apu mbetet në "The Simpsons"

Fansat e serialit “The Simpsons” dhe veçanërisht personazhit të tyre Apu Nahasapeemapetilon mund të marrin frymë lirshëm: Apu mbetet në seri!

Pasi që Disney e bleu 20th Century Fox, ata i morën të drejtat për të gjithë pasurinë e kësaj studioje, përfshirë serinë “The Simpsons”. Krijuesi i serialit Matt Groening e bëri paraqitjen e tij të parë në panelin e Disney këtë fundjavë në D23 Expo në Anaheim, ku iu përgjigj pyetjeve të adhuruesve.

Image

Një prej pyetjeve kishte të bënte me personazhin Apu, për të cilin spekulohej prej disa kohësh se do të largohej nga seriali. Por Groening i siguroi fansat se thashethemet ishin të pasakta dhe se Apu do të mbetej, shkruan KOHA Ditore. I pyetur nëse Apu do të shfaqej në episodet e ardhshme të serialit, Groenig tha: "Po. Ne e duam Apun. Ne jemi krenarë për Apun".

I gjithë problemi që është shfaqur me Apun pas 29 sezoneve të serialit ka të bëjë me nxitjen e stereotipeve racore, ndërkohë që nuk ndihmon as fakti që zërin indianit ia huazon një njeri i bardhë, Hank Azaria.

Showrunneri i Castelvania, Adi Shankar ka qenë më i zëshmi në lidhje me thashethemet për largimin e Apu nga seriali, dhe ka folur vazhdimisht për këtë. Megjithatë, edhe pse producenti i “The Simpsons”, Al Jean nuk u përgjigj asnjëherë drejtpërdrejt në këto thashetheme, ai thjesht deklaroi, "Adi Shankar nuk është producent i The Simpsons. Ne i urojmë atij të gjitha të mirat, por ai nuk flet në emrin tonë".

Apun dhe personazhet e tjera të preferuara nga The Simpsons si dhe të 30 sezonet e tyre do të mund t’i shohim pas 12 nëntorit, kur seriali do të vihet plotësisht në dispozicion në platformën për streaming Disney+, ndërsa premiera e sezonit të 31 pritet për fund të shtatorit.